Parlamenti i Greqisë ka miratuar një projektligj të debatueshëm për reformën e punës, i cili lejon punonjësit të punojnë deri në 13 orë në ditë, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra nga sindikatat dhe partia opozitare.
Qeveria greke e ka cilësuar reformën si pjesë të procesit të modernizimit të ligjeve të punës, ndërsa opozita e majtë e ka quajtur atë një “monstruozitet legjislativ”.
Ligji ruan javën standarde 40-orëshe, por lejon 150 orë shtesë pune në vit. Sipas qeverisë, dita e zgjatur e punës është opsionale, zbatohet vetëm në sektorin privat dhe mund të aplikohet për jo më shumë se 37 ditë në vit.
Projektligji u miratua me votat e shumicës së deputetëve të partisë në pushtet “Demokracia e Re”, ndërsa Partia Socialiste (Pasok) votoi kundër dhe Syriza abstenoi.
Ndërkohë, sindikatat kanë reaguar ashpër, duke organizuar dy greva të përgjithshme gjatë këtij muaji, që paralizuan transportin publik dhe shumë shërbime në vend.
Sipas dispozitave të reja, punëtorët do të mund të marrin orë shtesë te i njëjti punëdhënës për një pagesë 40% më të lartë, ndërsa punëdhënësit nuk do të kenë të drejtë t’i pushojnë nga puna për refuzimin e orëve shtesë.