Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Spiropali bëri të ditur se gjatë takimit është theksuar bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve dhe mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë për Kosovën në arenën ndërkombëtare, njofton Dukagjini.
” Pritja nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me vlerësimin për angazhimin e saj në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me partnerët strategjikë, SHBA-në dhe vendet e BE-së”, ka shkruar Spiropali në Facebook.
Spiropali ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke theksuar se, pas vendimit për heqjen e masave kufizuese ndaj Kosovës, është momenti që Bashkimi Evropian të veprojë pa vonesë për t’i dhënë vendit statusin e vendit kandidat.
“Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Pas vendimit per heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën. Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen aktive për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të vijojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin drejt BE-së e NATO-s”, ka shkruar ajo.