Pas vizitës zyrtare në Austri dhe pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën e 15 nëntorit ka udhëtuar për në Stuttgart të Gjermanisë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë qëndrimit dyditor, kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik “Global Connect 2022’’.
Ai po ashtu do të zhvillojë takime me përfaqësues politikë të landit Baden-Württemberg dhe të bizneseve atje.
Ndryshe, të dielën, kreu i Qeverisë së Kosovës ka udhëtuar për në Austri për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.
Ai në këtë forum gjatë fjalimit të tij të hënën ka thënë se ekonomia e Kosovës këtë vit ka pasur një rritje deri në 10.7 për qind.
Po ashtu, ai ka përmendur se në këtë konferencë është diskutuar edhe për mundësinë që forumi i radhës i llojit të tillë të mbahet në Kosovë.