
Pjesëmarrja e burrave kosovarë në luftërat e huaja në Siri e Irak fillimisht u pa si një devijim tragjik i individëve të radikalizuar. Por, befasia më e madhe për opinionin publik ishte përfshirja e grave nga Kosova në të njëjtat organizata terroriste. Në emër të bindjeve fetare apo të mashtrimeve nga bashkëshortët, disa gra u bënë pjesë e një realiteti të dhunshëm dhe të panjohur – luftës në Lindjen e Mesme.
Në prillin e vitit 2019, Kosova kreu operacionin më të madh të riatdhesimit të qytetarëve të vet nga kampet siriane, duke kthyer 110 persona – përfshirë 32 gra dhe 74 fëmijë. Gratë, të veshura me burka që fshehnin gjithçka përveç syve, u kthyen me një barrë të rëndë për të përballuar: drejtësinë, opinionin publik dhe vetë historinë që kishin lënë pas.
Dënimet me kusht dhe mbikëqyrja institucionale
Nga kjo kategori, 28 gra janë dënuar me kusht nga Departamentit Special në Gjykatën e Prishtinës me akuzat pjesëmarrje në grupet terroriste.
Në dënimet të cilat ishin me kushte strikte të provë ato u urdhëruan të paraqiteshin rregullisht tek psikologët apo këshillues profesionalë për të ndihmuar procesin e riintegrimit në shoqëri. Familjet e tyre u përkrahën me mbështetje financiare ndërsa fëmijët u përfshinë në sistemin arsimore të Kosovës.
Sipas Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK), asnjë prej këtyre grave nuk ka marrë trajtim të detyrueshëm psikiatrik, por të gjitha kanë qenë subjekt i mbikëqyrjes sistematike duke përfshi edhe këshillat me psikolog dhe psikiatër.
Për ta zbatuar planin SHSK dhe Departamenti për Ri-integrim në MPB hartuan plane individuale mbikëqyrjeje, u vlerësua niveli i rrezikshmërisë dhe ato u referuan për këshillime në institucionet përkatëse shëndetësore në qytetet ku jetonin. Mbikëqyrja është realizuar përmes takimeve të drejtpërdrejta, komunikimit telefonik dhe raportimeve periodike nga psikologët për progresin e tyre.
Por programet e implementuara për gratë nuk u zbatuan për të gjithë të burgosurit e tjerë. Kosova trajtoj në burgje rreth 168 të dënuar për terrorizëm dhe një raport i publikuar në shkurt 2025 nga BIRN, me titull “Sfidat serioze të programeve të rehabilitimit, riintegrimit dhe shkëputja nga terrorizmi në Kosovë”, thekson një sërë problemesh serioze në zbatimin e këtyre programeve. Disa nga sfidat kyçe të evidentuara përfshijnë:
Përfshirje të kufizuar të të dënuarve në programet e rehabilitimit dhe risocializimit;
Mungesë të protokolleve të qarta dhe gjithëpërfshirëse, sidomos për fazën para dhe pas lirimit nga paraburgimi apo burgimi;
Efektet e trajtimit rehabilitues
Sanie Gashi Mehmeti, ligjëruese në Burgun e Lipjanit dhe një nga profesionistet që ka punuar me të dënuarat, thekson se trajtimi ka pasur efekte pozitive, por mbështetja duhet të vazhdojë. “Nuk është vetëm e nevojshme – është e domosdoshme. Nuk mjafton një trajnim apo një seancë psikologjike për të adresuar gjithë atë që kanë përjetuar këto gra,” thotë ajo, duke shtuar se me disa prej tyre kanë mbajtur kontakt edhe pas përfundimit të programit.
Psikologu Ilir Havolli e sheh trajtimin e shëndetit mendor si thelbësor për ndihmën ndaj personave që kanë kaluar trauma lufte. Ai thekson se përveç respektimit të detyrimeve ligjore për konsultime me psikologë, këto programe shërbejnë si ura për rikthimin në një jetë normale. “Pa këtë ndihmë, rrezikohet jo vetëm mirëqenia individuale, por edhe procesi i integrimit në shoqëri dhe në tregun e punës,” shton ai.
Gratë, stigma dhe sfidat shumëdimensionale
Raporti i BIRN vë në pah se gratë përballen me sfida të shumëfishta që shpesh mbeten të padukshme. Pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për t’i trajtuar në mënyrë njerëzore dhe me ndjeshmëri, ato ende përballen me stigmatizim, izolim dhe mungesë përkrahjeje konkrete – sidomos në tregun e punës.
Një pjesë e madhe e grave të rikthyera jetojnë në varfëri dhe izolim social, pa mundësi reale për një punësim të qëndrueshëm. Shumë prej tyre janë nëna beqare pa mbështetje për kujdesin ndaj fëmijëve, dhe përballen me diskriminim të dyfishtë: si gra dhe si të rikthyera nga zonat e luftës.
Kosova mbetet një nga vendet e para në rajon që ndërmori hapa konkretë për riatdhesimin e qytetarëve të vet nga zonat e konfliktit. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për terrorizmin (dhjetor 2024), përmendet se Kosova mbetet pjesë aktive e koalicionit global kundër ISIS. Sipas këtij raporti, rreth 10 shtetas të Kosovës vazhdojnë të jenë në kampe në Siri, ndërsa për rreth 70 të tjerë nuk ka asnjë informacion.
Përtej mbështetjes institucionale, një rol thelbësor në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit e kanë luajtur organizatat e shoqërisë civile, me në krye Fondacionin për Zhvillimin e Komunitetit (CDF). CDF ka zbatuar programe të posaçme për mbështetjen psikosociale, fuqizimin ekonomik dhe edukimin e grave të kthyer nga zonat e konfliktit.
Kjo organizatë, në bashkëpunim me institucione shtetërore dhe donatorë ndërkombëtarë, ka ofruar:Seanca psikologjike individuale dhe grupore, të dizajnuara për të adresuar traumën dhe përjetimet e rënda nga lufta;Trajnime për aftësim profesional dhe ndërmarrësi, duke përfshirë kurse për rrobaqepësi, kuzhinë, IT, si dhe edukim financiar për vetëpunësim.
Kjo qasje gjithëpërfshirëse ka ndihmuar disa nga gratë të rifitojnë ndjenjën e sigurisë dhe qëllimit, si dhe të ndërtojnë një jetë të re më larg së kaluarës së errët. Megjithatë, siç thekson vetë CDF në raportet e saj vjetore, procesi i riintegrimit kërkon kohë të gjatë, mbështetje të qëndrueshme dhe angazhim të të gjitha hallkave të shoqërisë.