Njësitë policore janë angazhuar të hënën mbrëma pas një rasti të raportuar në rrugën “Astrit Rrushi” në Prishtinë, ku dy të rinj janë përfshirë në një përleshje që ka përfunduar me shkëmbim zjarri të armëve.
Sipas Policisë së Kosovës, pas pranimit të informatës, njësitë kanë dalë në vendngjarje dhe kanë intervistuar disa dëshmitarë, të cilët kanë deklaruar se dy të rinjtë janë konfliktuar fizikisht dhe më pas kanë shtënë me armë zjarri ndaj njëri-tjetrit.
Të dyshuarit janë arratisur menjëherë pas ngjarjes, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. Nga vendi i ngjarjes policia ka konfiskuar dy gëzhoja të armës së zjarrit dhe një thikë.
Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa njësitë policore po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve thuhet në raportin 24 orësh të policisë.