Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Kaçanik janë arrestuar pesë persona gjatë natës së 1 shkurtit për tentim vjedhjeje të rëndë.
Sipas njoftimit të policisë, dy shtetas Serbisë, M.M. (36 vjeç) dhe D.T. (35 vjeç), u kapën në flagrancë duke u përpjekur të thyenin dritaren e një artarie në rrugën “Ismail Raka”, njofton Dukagjini.
“Po ashtu, rreth të njëjtës kohë, një patrullë tjetër policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin tre persona të dyshuar, shtetas kosovarë: L.M. (48 vjeç), B.H. (42 vjeç) dhe R.F. (28 vjeç), të cilët janë shoqëruar në stacion policor. Në vendin e ngjarjes ka dalë Njësia e Hetimeve, e cila ka kryer ekzaminimin e vendit dhe ka konfiskuar mjete të dyshuara të përdorura për kryerjen e veprës penale, si: shufër metalike (hebell), dana, çelësa të ndryshëm, kaçavida, një mjet i mprehtë (skalpër), si dhe doreza”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përkthyesit, ndërsa dy nga ta kanë pranuar përfshirjen në rast.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtjeme hetimore”, thuhet në njoftim.