Rusia shihet si kërcënim në rritje për NATO-n, deklaroi të hënën ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një vizite në Poloni dhe Lituani, në kohën kur tensionet janë shtuar në krahun lindor të aleancës për shkak të shkeljeve ajrore nga dronët rusë.
Duke folur në Forumin e Sigurisë në Varshavë, Pistorius theksoi se Moska po “teston aleatët e NATO-s me një shpeshtësi dhe intensitet gjithnjë e më të madh”. Ai akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se “po përpiqet qëllimisht të minojë sigurinë evropiane dhe integritetin territorial të vendeve të kontinentit”, duke synuar të provokojë dhe të ekspozojë dobësitë brenda aleancës.
Sipas tij, NATO ka reaguar ndaj këtyre provokimeve me “qartësi, unitet, vendosmëri dhe maturi”. “Ne nuk do të biem në kurthin e Putinit të përshkallëzimit të pandërprerë. Po qëndrojmë të palëkundur e të vendosur”, tha Pistorius.
Në forum morën pjesë edhe ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, homologu estonez Hanno Pevkur dhe komisionari evropian për Mbrojtje dhe Hapësirë, Andrius Kubilius. Pistorius pritet gjithashtu të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë në Varshavë për të ardhmen e marrëdhënieve të Ukrainës me Evropën, vetëm disa javë pas rrëzimit të dronëve rusë mbi Poloni – incidente që u pasuan nga shkelje të hapësirës ajrore të NATO-s në Rumani dhe Estoni.
Ai kujtoi se “kur është e nevojshme, forcat e NATO-s janë të gatshme, ashtu si avionët e aleatëve në Baltik që u ngritën për të shoqëruar avionët rusë jashtë hapësirës ajrore të Estonisë”.
Nga ana e tij, kryeministri polak Donald Tusk e përshkroi luftën e Rusisë në Ukrainë si pjesë të një projekti politik për nënshtrimin e popujve të tjerë. “Kjo luftë është edhe lufta jonë. Nëse e humbim, pasojat do t’i ndiejnë jo vetëm gjeneratat tona, por edhe brezat e ardhshëm në Poloni, Evropë, SHBA dhe kudo tjetër në botë”, u shpreh Tusk.