Derisa përfitimi nga para-financimi në kuadër të Planit të Rritjes në vlerë 7% apo rreth 62 milionë euro pas rafitikimit të dy marrëveshjeve me Bashkimin Evropian është vetëm çështje kohe, pagesat e rregullta janë të kushtëzuara me reforma.
Kështu njoftoi Bashkimi Evropian në një përgjigje për televizionin Dukagjini.
Një zëdhënës i bllokut 27-anëtarësh njoftoi se Kosova tashmë e ka bërë kërkesën për të pranuar pagesën nga para-financimi dhe ajo pritet të realizohet të bëhet pas publikimit në gazetën zyrtare të dy marrëveshjeve dhe pasi që Komisioni Evropian të njoftohet për këtë.
Ndërkaq, për pagesat e rregullta duhet ende punë.
“Lidhur me kërkesat për pagesa të rregullta, u kujtojmë që Kosova ka afat deri më 30 Qershor të këtij viti që të kompletojë 13 reforma, pasi kjo datë shënon fundin e grejs periudhës. Nëse Kosova nuk arrin që të raportojë për përmbushjen e suksesshme të tyre brenda afatit, rrezikon që të humbasë një pjesë të fondeve”- BASHKIMI EVROPIAN
Në mesin e 13 reformave të cilat afat fillestar kishin Qershorin 2025, por që falë grejs-periudhës Kosova ende mund të përfitojë para janë: miratimi pakos së ligjeve për barrën administrative; miratimi i pakos së ligjeve për energjinë; themelimi dhe funksionalizimi i Këshillit Kombëtar për Inovacion dhe Fondit për Inovacion; miratimi i ligjit dhe akteve nënligjore për bankrotonim; verifikimi i aseteve të deklaruara nga gjyqtarët dhe prokurorët; miratimi i strategjisë për luftimin e krimit të organizuar etj.
Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro grante dhe kredi në kuadër të Planit të Rritjes.
Në një temë tjetër, përkundër paralajmërimeve, Bashkimi Evropian nuk konfirmoi nëse janë hequr të gjitha masat në fund të Janarit.
“Lidhur me pyetjet tuaja të fundit, nuk kemi asgjë për të shtuar përtej asaj që kemi thënë më herët lidhur me qëllimin e Presidentes Von der Leyen për të hequr të gjitha masat e mbetura, në fillim të këtij viti”.- BASHKIMI EVROPIAN
Më herët, BE-ja kishte njoftuar se planifikon që këtë fillim-vit të lirojë pjesën e mbetur projekteve në vlerë 205 milionë euro, në kuadër të heqjes graduale dhe të plotë të masave.