Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur granata dore dhe disa pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës në një shtëpi të braktisur në fshatin Dobroshevina të Zubin Potokut.
Sipas njoftimit policor, rasti ka ndodhur më 10 shkurt 2026, rreth orës 23:20, kur njësitë policore të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë Veri, gjatë patrullimit, kanë pranuar informacion për mjete të dyshuara ilegale në një objekt të pabanuar.
Pas kontrollit të lokacionit, policia ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë granata dore, një maicë dhe dy këmisha me emblemën e Policisë së Kosovës, njofton Dukagjini.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka bërë tërheqjen dhe sigurimin e granatave në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt.
Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia, mes tjerash, ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar në lidhje me këtë rast, ndërsa hetimet për rastin kanë nisur.