Në një aksion të përbashkët të zhvilluar më 8 gusht nga Policia e Kosovës – Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me asistencën e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, janë kontrolluar 21 parkingje në qytetin e Prizrenit.
Ky aksion kishte për qëllim parandalimin dhe hetimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi”.
Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të ndryshme, duke përfshirë: Mos lëshimin e kuponëve fiskal në të gjitha parkingjet e kontrolluara; Identifikimin e 9 punëtorëve të paregjistruar; Mungesën e arkave fiskale në 5 parkingje; Zbulimin e 2 bizneseve të paregjistruara; Dy biznese pa kontrata qiraje.
Administrata Tatimore do të ndërmarrë veprimet procedurale për secilin rast sipas kompetencës, ndërsa Policia e Kosovës do të vazhdojë procedurat ligjore për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.
Policia e Kosovës thekson se është e përkushtuar në luftën kundër krimeve ekonomike dhe bën apel që të gjithë qytetarët të respektojnë ligjin, duke kontribuar kështu në krijimin e një ambienti të drejtë dhe të ligjshëm për të gjithë.