Policia e Kosovës ka përkujtuar sot heroin dhe zyrtarin policor të rënë në krye të detyrës, Izet Demaj, me rastin e përvjetorit të rënies së tij.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në ceremoninë përkujtimore morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, Komandanti i Stacionit Policor në Istog, si dhe eprorë dhe zyrtarë policorë, familjarë dhe qytetarë.
Policia e Kosovës vlerëson se sakrifica e heroit Izet Demaj mbetet shembull frymëzimi për brezat e rinj të zyrtarëve policorë, ndërsa kujtimi për të do të jetojë përherë në radhët e Policisë së Kosovës dhe në zemrat e qytetarëve.
Kujtojmë se polici Izet Demaj u vra gjatë një aksioni për të parandaluar grabitjen e armatosur të një banke në Istog më 27 dhjetor 2018. Grabitësi shtiu me armë në drejtim të Demajt, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Po ashtu pas përplasjes me armë zjarri, mbeti i vrarë edhe grabitësi Kamer Metaj.
Polici Metaj u varros me ceremoni shtetërore pranë shokëve të tij të luftës në Koshare, derisa në nderim të tij, ish-presidenti Hashim Thaçi e shpalli me urdhrin “Hero i Kosovës”.