Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të të shtënave me armë zjarri në rrugën “Lasgush Pogradeci” në Prishtinë, në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Sipas raportit 24 orësh të policisë, rreth orës 00:02, në vendngjarje janë hasur katër persona – dy femra dhe dy meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit ndaj tyre nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, por policia ka sekuestruar pesë gëzhoja. Arma e përdorur në incident nuk është gjetur.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti po hetohet më tej.