Policia e Serbisë ka arrestuar një burrë në pikëkalimin kufitar me Kosovën, Merdare, nën dyshimin për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1998-’99, njoftuan autoritetet serbe të martën.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk ka bërë të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e ka identifikuar atë me inicialet H.H., 77 vjeç.
Sipas autoriteteve, ai dyshohet se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së, ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.
Nuk është e qartë data e arrestimit, por Ministria serbe tha se ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe se ndaj tij do të ngrihet aktakuzë.
Ndërsa, nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës ende nuk ka ndonjë konfirmim lidhur me arrestimin e fundi.
Ky arrestim vjen rreth një muaj pas ndalimit të dy personave në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet për krime lufte të kryera së bashku me pjesëtarë të UÇK-së kundër popullsisë civile.
Autoritetet serbe kohët e fundit kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve, të cilët i akuzon për lidhje me UÇK-në ose për arsye të tjera.