Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ka ndërmarr veprime hetimore lidhur me një rast të pranimit të ryshfetit.
Sipas njoftimit, dy persona të dyshuar kanë pranuar 400 euro me premtimin se do të përshpejtonin procesin e realizimit të një kërkese për furnizim që viktima kishte parashtruar.
Paratë u morën në zyrën e tyre dhe u siguruan nga policia në të njëjtin vend.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta të zyrtarëve policor, është arritur të sigurohen dëshmi të mjaftueshme, se dy persona të dyshuar M/K kanë pranuar ryshfet në vlerë katërqind (400.00)Euro me premtimin se do të përshpejtojnë procesin e realizimit të një kërkese për furnizim që viktima kishte parashtruar. Të dyshuarit në fjalë, paratë i kanë pranuar në zyrën e tyre, e që të njëjtat para janë siguruar- gjetur po në atë zyre, tek njeri prej te dyshuarve”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe ndaj tyre është ngarkuar vepra penale “Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat“. Pas intervistës, prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tyre.