Një reagim emocional ka ardhur nga Fahri Fazliu, djali i ish-ushtarit të UÇK-së, Fadil Fazliu, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, në kuadër të procesit ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Fahri Fazliu ka shprehur dhimbjen dhe zhgënjimin e thellë që prej nëntë muajsh nuk i është lejuar të vizitojë babain e tij në qendrën e paraburgimit në Hagë.
“Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi e kamufluar. Përqafimi ynë s’është rrezik për askënd – heshtja ndaj kësaj padrejtësie, po. Por ne nuk i ulim sytë. Babai im është fizikisht pas hekurave, por shpirti i tij është i lirë dhe i pathyeshëm. Ashtu siç nuk kanë mundur t’i robërojnë shpirtërat e idealistëve as regjimet më mizore që kanë sunduar ndonjëherë njerëzimin.”, ka shkruar ai.
Fadil Fazliu është njëri nga të arrestuarit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, që po përballet me akuza për krime lufte.