Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, ka marrë mbështetje të fuqishme edhe nga Presidentja e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), Svenja Hahn.
Në një video të postuar nga Hamza, Hahn shpreh mbështetjen e saj për Bedri Hamzën dhe Partinë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se Kosova ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit të saj demokratik, njofton Dukagjini.
“Çdo demokraci ka nevojë për stabilitet, unitet dhe miq të fortë e të besueshëm, duke nënvizuar se e ardhmja e Kosovës varet nga një udhëheqje që di t’i bashkojë njerëzit, të qeverisë me përgjegjësi dhe të forcojë partneritetet me Evropën dhe komunitetin ndërkombëtar” thotë ajo.
Ajo thekson se Bedri Hamza është një lider me përvojë, me dorë të sigurt dhe me bilanc të dëshmuar në shërbimin publik, i cili e kupton rëndësinë e stabilitetit ekonomik, forcimit institucional dhe vlerave demokratike. Sipas Hahn, PDK dhe Bedri Hamza janë të përkushtuar ndaj dialogut, bashkëpunimit dhe një të ardhmeje evropiane për Kosovën.
“Kosova meriton një udhëheqje që bashkon dhe që sjell rezultate”, përfundon presidentja e ALDE, duke konfirmuar mbështetjen e familjes liberale evropiane për vizionin dhe lidershipin e Bedri Hamzës.