Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj katër personave të dyshuar për veprën penale “Detyrimi”.
Të pandehurit Xh.K, D.K, A.K dhe L.Sh dyshohen se më 23 korrik kanë përdorur kanosje serioze me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit kishin detyruar një qytetar që kishte blerë një patundshmëri të paguante shuma të mëdha parash, përfshirë fillimisht 20.000 euro dhe më pas 30.000 euro. Të njëjtit janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se ka kërkuar caktimin e masës se paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurve Xh.K, D.K, A.K. dhe L.Sh për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas prokurorisë, të pandehurit Xh.K, D.K, A.K. dhe L.Sh me datë 23 korrik 2025, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin, që të kryej një veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte blerë një patundshmëri nga ish pronari, detyrojnë për të paguar shuma të konsiderueshme të parave, fillimisht shumën prej 20.000 (njëzetmijë) euro, me pas edhe 30.000 (tridhjetëmijë) euro, deri sa janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Gjithashtu, i pandehuri L.Sh, dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim e paautorizuar e armëve”, sipas KPRK-së.
Prokurori i shtetit, gjatë seancës se procedurës paraprake do kërkojë nga gjyqtari që të pandehurve t’u caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.