Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka dorëzuar në gjykatë aktakuzë ndaj 21 të pandehurve për krime lufte, konkretisht për dëbimin e popullsisë civile nga territori i Republikës së Kosovës gjatë konfliktit të fundit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se ky hap paraqet një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për vendosjen e drejtësisë dhe mbajtjen përgjegjës të atyre që kanë shkaktuar vuajtje gjatë luftës.
Ndërsa, prokurori i çështjes, Atdhe Dema, dha detaje mbi aktakuzën, duke bërë të ditur se pas hetimeve shumëvjeçare janë siguruar prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimet e bazuara mirë për përfshirjen e të pandehurve në krime lufte kundër popullatës civile, gjatë periudhës janar – qershor 1999.
Sipas Demës, të pandehurit, të cilët do të gjykohen në mungesë, dyshohet se ushtronin kontroll dhe autoritet efektiv mbi forcat e armatosura, Ushtrinë e Jugosllavisë dhe policinë e Serbisë, duke pasur njohurinë e plotë se pjesëtarë të atyre forcave kryenin vepra të ndaluara rreptësisht nga e Drejta Ndërkombëtare Humanitare.
“Aktakuza të pandehurit i ngarkon në bazë të nenit 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, i cili sanksionon krimet e luftës kundër popullatës civile, si dhe në harmoni me të drejtën ndërkombëtare humanitare, përfshirë Konventat e Gjenevës dhe protokollet shtesë. Këto veprime përfshijnë: shkatërrimin sistematik të pronës civile, përfshirë djegien e shtëpive dhe infrastrukturës; sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre; përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike; dëbime të detyruara masive të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje”, ka thënë Dema.