Punëtorët e sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e përfunduan sot grevën dhe pritet që qysh nga sonte t’i kthehen punës në këtë institucion shëndetësor.
Përfundimi i grevës u votua njëzëri nga punëtorët e sigurimit fizik në prani të kryetarit të Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Këta hapa erdhën pas nënshkrimit të kontratës për tender të sigurimit fizik në QKUK midis Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) dhe kompanisë fituese të tenderit.
Pronari i kompanisë fituese në këtë tender, Ferid Berisha njoftoi se nënshkruan kontratë gjashtëmujore.
“Kontrata për ne është premtim dhe premtimin do ta realizojmë deri në fund. Sa i përket të drejtave të punëtorëve të gjitha janë të cekura në kontratë, si vlerat, si rrogat, si koha e caktuar, kështu që ne me përpikëri do të mundohemi t’i realizojmë këto. Nga sonte punëtorët i kthehen punës”, tha Berisha.
Ndërsa, kryetari të Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se i ofrojnë bashkëpunim kompanisë, por theksoi se në momentin që nuk e respekton ligjin nuk e njohin asnjë kompani.
“Kompanisë së re, e cila nuk ka qenë e panjohur, i ofrojmë bashkëpunim të mjaftueshëm. I themi këtu përpara që për ne nuk ka qenë me rëndësi cila kompani do të jetë e para.
Ne ftojmë pronarin e kompanisë që të kërkojë me përkushtim që kjo kontratë të zbatohet, ashtu siç është.
Unë jam tip i tillë që njoh kontratat, njoh kompanitë deri në atë moment që e respektojnë ligjin. Në momentin që nuk e respekton ligjin nuk e njoh asnjë kompani. Por i ofrojmë bashkëpunim dhe përfundimisht ne këtë grevë do ta mbyllim. Që nga dita e parë kjo grevë ka pasur qëllim social e jo qëllim politik”, tha Azemi./EO