Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së të hënën ka vendosur në mënyrë unanime që të mos e marrin asnjë veprim sindikal por t’i jepet mundësi dialogut social.
Sindikata e punëtorëve të QKUK-së, në njoftimin e tyre kanë thënë se përmes Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ( FSSHK ) do t’i drejtohen Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi dhe Bordit të SHSKUK-së për mbështetje në kërkesën për anulimin e urdhëresave të cilat i kanë cilësuar si të jashtligjshme dhe diskriminuese.
“Konsiderojmë që partnerët socialë brenda secilës ndërmarrje duhet që të gjejnë mënyra dhe konsensus në të mirën e përgjithshme, në këtë rast të SHSKUK / QKUK-së me Shoqatën Sindikale të Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së dhe infermierët, e që gatishmëria jonë nuk mungon për të gjetur zgjidhje lidhur me kontestet”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së ka ftuar publikisht SHSKUK/QKUK-në që t’i anulojë urdhëresat si në vijim:
-Urdhëresën që infermieri të shkruhet në hyrje/dalje nga dhoma e pacientit duke e konsideruar si urdhëresë diskriminuese dhe përdorim të standardit të dyfishtë, pasi komunitetet e tjera nuk i nënshtrohen kësaj urdhërese,
-Urdhëresa që infermierët të bëjnë evidentimin e frekuentimit të palëve civile nëpër klinika të QKUK-së duke e konsideruar urdhëresë e cila nuk bën pjesë në përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të infermierit,
-Urdhëresa e cila thotë se infermierët e turneve duhet të marrin obligimin e sigurimit të barërave gjatë vikendeve, punë për të cilën infermierët e turneve nuk e kanë obligim as nuk kompensohen për këtë detyrë,
-Urdhëresën e cila e obligon infermierin që ta ftojë mjekun në rast nevoje, pasi sikurse infermieri po ashtu edhe mjeku janë subjekte që u nënshtrohen obligimeve kontraktuale, ndërsa secila klinikë tashmë ka mjekët dhe infermierët e tyre kujdestarë, ndërsa si të tillë, as infermieri e as mjeku nuk do të duhej të ketë nevojë për ftesë, pasi do të duhej që të ishin në vendet e tyre të punës duke mos pasur nevojë për ftesa.