Mjeku A.V është arrestuar të martën nën dyshimin për “marrje ryshfeti”. Policia ka njoftuar se i dyshuari në këmbim të parave kishte lëshua raporte për pushime mjekësore, e që çmimi varionte nga 10 deri në 50 euro.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të cekura më lart. Dyshohet se i dyshuari qëllim të përfitimit personal për shërbime të ofruara nga pacientët kishte kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme të hollave nga 10 deri 50 euro për të ju lëshuar raporte për pushime mjekësore. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme ka lëshuar njoftim edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas hetimeve disa mujore dhe pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka arrestuar një (1) mjek në Vushtrri me iniciale A.V., me dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. I njëjti akuzohet se në këmbim të mjeteve monetare ka lëshuar vërtetime të ndryshme mjekësore për qytetarët”, thuhej në njoftim të prokurorisë.