Kryetari i Organizatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, në emisionin Five ka akuzuar ashpër udhëheqësen e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke e quajtur “udhëheqëse të një krimi”.
“Me vetë faktin që ka marrë vendim me mbajt një konferencë në një skutë të kryeqytetit dhe me vetë faktin që ka vendos një censurë ndaj mediave, tregon se kjo është udhëheqëse e një krimi në Dhomat e Specializuara,” tha Qeriqi.
Ai shtoi se “krimi i parë ka qenë raporti i Dick Martyt i cili është dashur të hetohet nga kjo e ashtuquajtur kryetare e gjykatës speciale. Pastaj e kemi pa skandalin e dosjeve – është një krim, ka fsheh një krim. Ju kanë rrjedhë disa dosje që në gjykata normale nuk duhet të ndodhin.”
“Krim tjetër është bashkëpunimi me kriminelë të cilët kanë kry masakra në Kosovë. Bashkëpunim të ngushtë të cilin e kanë pranu edhe vetë prokurorët e kësaj gjykate. Krim tjetër është kur gjykatësit anojnë në anën e prokurorëve, krim tjetër është mosrespektimi i simboleve të Kosovës, krim është kur kjo e ashtuquajtur kryetare e gjykatës nuk u beson institucioneve të sigurisë të Kosovës,” përfundoi ai.