Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e parasë publike, duke e cilësuar këtë menaxhim sikur në kohën e socializmit.
Sipas Hotit, në sistemin socialist “qeveria ta thyente këmbën, e mandej ta jepte një shkop për t’u mbajtur”, kjo e përshkruan në mënyrën më të saktë punën e Qeverisë Kurti, sipas tij, duke treguar se pse.
“Ja pse:
- Për bizneset: i bllokoi projektet kapitale, si rezultat i ekonomisë i mungojnë 500 mil euro, e mandej i ndihmoi bizneset me ligjin për indeksim të kontratave për investime kapitale. Rriti faturat e energjisë për bizneset, mandej i subvencionoi bizneset për energji.
- Për qytetarët: E shtrenjtoi dy herë energjinë, e në anën tjetër i subvencionoi për shpenzimet e energjisë. E dyfishoi tatimin në pronë, e mandej ua fali 100 euro.
Kjo qasje e shpenzimeve publike është socialiste, sepse njerëzit po varfërohen dhe po bëhen të varur nga shteti. Socializëm është kur 41% e buxhetit shpenzohet në subvencione dhe transfere, e vetëm 15% në investime”, ka shkruar Hoti në Facebook.