Kandidati i LDK-së për një mandat tjetër në krye të Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar sërish nivelin qendror për bllokadën e buxhetit.
Ai tha se punëtorët e ndërmarrjes “Gjelbër” prej kohësh po përballen me vonesa në marrjen e pagave.
Rama e konsideron këtë bllokadë të pajustifikueshme, të paligjshme dhe me motive politike, pasi po dëmton jo vetëm punëtorët, por edhe shërbimet publike jetike të kryeqytetit.
Për këtë arsye, ai ka iniciuar padi ndaj ministrit në detyrë Hekuran Murati dhe tre zyrtarëve përgjegjës për këtë ‘pengesë të qëllimshme’.
“Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë punëtorët për durimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, të cilët përkundër sfidave ekonomike dhe presioneve kanë vazhduar të kryejnë punën me dinjitet, duke mos e ndalur asnjë ditë shërbimin ndaj qytetarëve tanë. Ky është shembulli më i pastër i përgjegjësisë dhe integritetit punëtor. Ju siguroj se jam në krahun tuaj dhe do të vazhdoj me vendosmëri çdo rrugë ligjore e institucionale deri në zhbllokimin e mjeteve të ndërrmarjes deri në shpërblimin e drejtë të çdo punëtori me pagën që e ka fituar me punë”, ka shkruar Rama në Facebook.