Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, janë të painteresuar për formimin e Asocacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Gjatë një konferenca për media në Shqipëri, Rama ka deklaruar se kjo vije si shkak i politikës së brendshme të të dyve, Kurtit e Vuçiq.
“Ka dy njerëz që janë të painteresuar për Asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë. Jo në kuptimin se janë bashkë në kuptimin që janë marrë vesh, por janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet dhe këta janë, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Pse? Sepse për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme, u duhet armiku i jashtëm. Pse i con presidenti i Serbisë ushtarët në kufi me Kosovën? Mendoni ju që në cepin më të largët të mendjes së vet dhe në ëndrrën e tij më kurajoze, ai mendon se mund të futet një ushtar serb një meter në kufirin e Kosovës. Absolutisht jo, as që nuk e imagjinon. Por, pse i con? Nuk i con për t’i mbrojtur me armë serbët në Kosovë, por për të ndezur shpirtin nacionalist të serbëve që janë në Serbi”, ka deklaruar ai.
Rama ka ripërsëritur deklaratën e tij se Serbia nuk përbën më një kërcënim për Kosovën që nga viti 1999. Ai ka theksuar se SHBA-të sot mbesin në një raport të acaruar me Qeverinë e Kosovës.
“Serbia e ka humbur luftën ushtarakisht një herë e mirë në vitin 1999 dhe Serbia qysh nga viti 1999 nuk është më kërcënim për Kosovën. Nuk ka çka i bën më fare. Jo se është Albin Kurti aty apo cilido qoftë, por sepse aty është Amerika. Është kjo Amerikë e cila sot është në acarimin maksimal me Qeverinë e Kosovës…dhe cila është gjëja që shpërbën figurën e armikut imagjinar në sytë e zgjedhësve të njërit dhe tjetrit? Asociacioni. Që mbyll përfundimisht, në të aspekt, mundësitë për të vazhduar kjo lufta ‘këta nuk na lënë të zgjedhjen’…”, ka thënë Rama.
Rama ka deklaruar se ka një mardhënie të shëndetshme me kryeministrin Kurti dhe kjo si rrjedhojë e sinqeritetit në mes tyre. Ai theksoi se me të kanë një qëllim të njëjtë.
Para pak kohësh, Rama bëri të ditur se ka propozuar një draft-statut të Asociacionit, të cilin ia kishte dërguar kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Ndryshe, në veri të Kosovës tensionet janë duke vazhduar që nga 26 maji, me rastin e hyrjes së kryetarëve të zgjedhur të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Si rrjedhojë, Kurtit i erdhën tri kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare, qetësimi i situatës në veri duke larguar Policinë e Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe rikthimi në dialogun për normalizim Kosovë-Serbi.