Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, po vazhdon me ndryshime në strukturën drejtuese të Komunës, ku tashmë ka liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Luftar Braha.
Siç merr vesh Dukagjini, Braha nuk do ta ushtrojë më funksionin e drejtorit të këtij dikasteri, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje për arsyet e shkarkimit apo për emërimin e pasardhësit të tij.
Një javë më parë, Rama, kishte konfirmuar finalizimin e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me disa subjekte politike, përfshirë edhe Partinë Demokratike të Kosovës.
Kjo lëvizje erdhi një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës mohoi mundësinë e një koalicioni me PDK-në në kryeqytet, ndonëse Rama është zgjedhur nën logon e kësaj partie.
Ndërkohë, Rama ka emëruar nënkryetare të komunës Besianë Musmuratin nga PDK-ja, e cila më herët ka shërbyer si drejtoreshë për Arsim, ndërsa nga kjo pozitë është larguar Shkëmb Manaj.
Paraprakisht, kryetari Rama kishte shkarkuar edhe disa drejtorë të LDK-së në Prishtinë, të afërt me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku, përfshirë Sokol Havollin dhe Sibel Halimin, të cilët janë zëvendësuar me përfaqësues të PDK-së.
Në mandatin e parë në krye të Prishtinës, Rama kishte bashkëqeverisur me PDK-në, koalicion i cili ishte ndërprerë rreth një vit para zgjedhjeve lokale të fundit.