Kryetari i Prishtinës dhe kandidat i LDK-së për një mandat të ri, Përparim Rama, ka folur për projektet që synojnë të rregullojnë trafikun në kryeqytet.
Në Debat Plus ai ka theksuar se shumë projekte janë tashmë në zhvillim e sipër, duke përfshirë ndërtimin e 10 shkollave – nga të cilat tre janë përfunduar dhe shtatë të tjera në proces ndërtimi – si dhe reformimin e transportit publik.
Rama ka përmendur gjithashtu krijimin e unazës së brendshme të qytetit, për të cilën janë bërë testime dhe që pritet të ndihmojë në zgjidhjen e problematikës së trafikut.
“Ky është një sistem i probleme që duhet më u zgjedh derisa sa te zgjedhim problemin e trafikut. Pra edhe ndërtimin e 10 shkollave që jemi duke e bërë tash i kemi ndërtuar 3 tash edhe 7 jemi duke u ndërtuar. Po ashtu, transportin ri të Prishtinës të cilin e kemi reformu edhe është një nder reformat më të mëdha që ka ndodhur në kryeqytet. Krijimin e unazës po them edhe kësaj të brendshme me shënzim, aspekti një kahor ku edhe i kemi bërë testimet edhe e kemi parë që ajo do të jetë një zgjidhje e mirë. Pra është një numër i madh i projekteve që i kemi propozuar jemi duke i bërë të cilat vijën deri tek zgjidhja e problemit të komunikacionit”, ka deklaruar ai.
Ai ka potencuar se nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen apo mbylljen e sheshit “Xhorxh Bush”, por për një numër projektesh të koordinuara që synojnë lehtësimin e komunikacionit.
“Nuk është çështja e hapjes apo mbylljes për vetura atë sheshit Xhorxh Bush por është një numër i madh i projekteve që janë duke ndodhë tash në të njëjtën kohë të cilat do ta zgjidhin problemin e trafikut në kryeqytet. Qysh para katër vjete kam thënë që projektet tona janë tetë vjeçare, pra transferimit të kryeqytetit i vyejnë 8 vite”, ka deklaruar Rama në Debat Plus.