Analisti Sadri Ramabaja ka deklaruar se rigrupimi politik tashmë është bërë i qartë dhe se në Kuvendin e Kosovës do të jenë të përfaqësuara tri forca politike kryesore. Sipas tij, ndarja në dy blloqe është pasqyruar qartë edhe në sondazhin e fundit.
“Do të kemi rigrupim në dy blloqe politike. Ashtu ka rezultuar edhe në këtë anketë. Në Parlament do t’i kemi tri forca politike”, tha Ramabaja.
Ai theksoi se ndarja në përqindje mes blloqeve është shumë e balancuar.
“Nuk e kam pritur që ndarja do të jetë kaq strikt 50/50. Aty është vetëm 3% margjina e gabimit, që është e pranueshme”, shtoi ai.
Duke komentuar rezultatet e krahasuara me muajt e kaluar, Ramabaja tha:
“Nëse e krahasojmë me shkurtin apo marsin, Lëvizja Vetëvendosje ka ruajtur pozicionin, me 42.30% ose një rritje prej 2.3%. PDK-ja po përputhet me opinionin e shprehur në këtë sondazh.”
Ramabaja vlerësoi se dinamika aktuale politike po çon drejt një përplasjeje mes dy blloqeve të mëdha, me një grup të tretë që do të ketë rol vendimtar në balancimin e forcave.
Ai shtoi se situata aktuale politike e krijimit të institucioneve të qeverisë do të rezultojë se gjitha partitë politike të jetë humbëse dhe do krijohet një forcë e re, e cila me gjasë do udhëhiqet nga Vjosa Osmani.
“Ky është një paralajmërim dhe, nëse vazhdohet me këtë trend të moskrijimit të institucioneve të qeverisë, të gjitha partitë do të dalin humbëse. Do të krijohet hapësira ideale për një forcë të re politike – gjë për të cilën kam informacione se do të ndodhë, dhe me gjasë do të jetë Vjosa Osmani.
Gjykata Kushtetuese pritet ta sjellë vendimin deri në fund të kësaj jave dhe t’i japë fund këtij veprimi, i cili ka filluar të irritojë qytetarët. Ky veprim është rezultat i një nervozizmi të përgjithshëm, për të cilin përgjegjësi mbajnë si Vetëvendosja, ashtu edhe PDK-ja dhe LDK-ja. Këto të tria janë përgjegjëse,” deklaroi Ramabaja.