Policia në Norvegji ka rrethuar zonën përreth Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Oslo, pasi është raportuar për një shpërthim pranë ndërtesës.
Sipas policisë, në vendngjarje janë dërguar forca të shumta rreth orës 01:00 sipas kohës lokale, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
“Policia është në kontakt me ambasadën dhe deri më tani nuk është raportuar për persona të lënduar. Për momentin nuk ka informacione të sakta se çfarë ka ndodhur apo kush mund të jetë i përfshirë”, thuhet nga policia norvegjeze.
Michael Dellemyr, i cili po udhëheq operacionin policor, i tha transmetuesit publik norvegjez NRK se shpërthimi ka ndodhur pranë hyrjes publike të ndërtesës.
Sipas raportimeve të mediave, ambasada ka pësuar dëme të vogla.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndodhet në zonën Morgedalsvegen të Oslos, rreth 7 kilometra larg nga qendra e qytetit.