Deputeti serb në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Rashiq ka deklaruar se nuk e sheh më të mundur kandidimin e tij për këtë pozitë, pasi sipas interpretimit të tij, gjykata i ka dhënë të drejtën ekskluzive Listës Serbe.
“Sot e lexova dhe sa e shoh unë dhe të them drejtën nuk jam ekspert për të zbërthyer vendimin e Kushtetueses. Sa e shoh unë gjykata ia ka dhënë të drejtën ekslusive Listës Serbe dhe në këto aspekte, me aq sa e kuptova mirë stemi i votimit në short nuk ka nevojë që të zbatohet më sepse tashmë është e mundshme disa herë brenda 12 ditësh që të votohet dhe nëse e kuptova mirë, unë nuk shoh hapësirë për kandidimin tim. Unë jam besimtar i ligjeve dhe institucioneve, nuk shoh mundësi që unë të jem kandidat dhe nëse gjykata është ashtu e prerë unë nuk po shoh vend për kandidimin tim,” tha Rashiq për lajmi.net
Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër duke filluar nga ora 10:00 për të vazhduar konstituimin e tij.
Seanca e nesërme ka vetëm një rend të ditës e që është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.
Vazhdimi i konstituimit të Kuvendit, nesër mbahet seanca e radhës