“Nëse shkojmë sot në ambullantën specialistike që ka përuru ky njeri dje me kryeministrin, dhe e bëjmë një rentgen, unë tërhiqem prej gare. Po shkojmë bashkë. Nuk është funksionalizu”, ka thënë Ekrem Hyseni, kandidat i LDK-së për kryetar të Podujevës.
Kështu deklaroi në Kallxo.com kandidati nga radhët e LDK-së për Kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni në debatin mes kandidatëve për këtë pozitë.
Tre ditë pasi në këtë poliklinikë u përuruan 16 shërbime të reja, ekipi i Dukagjinit e vizitoi të shtunën objektin, për të parë nga afër nëse shërbimi radiologjik – rëntgeni është duke funksionuar dhe për të marrë detaje se shërbime të tilla janë kryer.
”Ekipit të Televizionit Dukagjini nuk i është lejuar të hyjë në ambientet e poliklinikës specialistike këtu në Podujevë, me arsyetimin se stafi përgjegjës për rëntgenin mungon. Televizionit i është kërkuar që të vijë në vizitë të hënën”.
Se në këtë poliklinikë nuk është funksional ky shërbim radiologjik, për Dukagjinin e kanë konfirmuar burime brenda personelit mjekësor.
Ndërsa, se rëntgeni nuk është duke punuar e ka konfirmuar edhe njëri nga punonjësit tjerë të poliklinikës.
Nëse pyesin arsyen, ka të bëjë me rëntgenin. S’punon rëntgeni! S’punon rëntgeni? Jo!
Gjatë debatit mes kandidatëve, kryetari aktual i Podujevës dhe kandidati për një tjetër mandat, Shpejtim Bulliqi ka deklaruar se shërbimi është funksional.
Por, anëtarë të LDK-së në këtë komunë, thonë se një pretendim i tillë nga Bulliqi është bërë vetëm për arsye elektorale.
“Është vetëm një kamuflazh për zgjedhje ashtu siç ka qenë kamuflazh spitali i Podujevës dhe një varg projektesh të tjera të cilat i ka premtu Bulliqi. Kjo është një tendencë për manipulim të opinionit publik dhe qytetarëve llapjan po besoj se tashmë e njohin kryetarin Bulliqi”, ka thënë Besim Latifi – Kandidat i LDK-së për Asamble.
Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga vet Kryetari aktual Shpejtim Bulliqi lidhur me çështjen, por i njëjti ka qenë i pa qasshëm në telefon.