Rohde: Me një rezultat ideal në dialog, mosnjohësit do ta njohin Kosovën

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka inkurajuar liderët e Kosovës dhe Serbisë që ta shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër, për arritjen e marrëveshjes për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se është “i sigurt” se Kosovën do ta njohin shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian (BE), nëse ka rezultate në normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Në një intervistë për REL-in, ai ka inkurajuar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq, që ta shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër, për të arritur marrëveshje për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Në mungesë të konstruktivitetit nga palët, Rohde ka përmendur mundësinë e sanksioneve nga BE-ja.

Rohde ka thënë se të dyja vendeve i janë premtuar edhe investime shtesë si shpërblim për konstruktivitet në dialog.

Ai, po ashtu, ka deklaruar se Kosova duhet ta përmbushë obligimin gati 10-vjeçar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Duke e themeluar Asociacionin, ne shpresojmë se do t’i integrojmë serbët e Kosovës brenda shtetit”, ka thënë ai.

Intervistën e plotë mund ta gjeni këtu.

Kurti dhe Vuçiq pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.

Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej.

Plani i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por dy vendet do t’i njihnin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat.

Serbia, gjithashtu, nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Plani, po ashtu, u kërkon palëve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ky Asociacion i dakorduar qysh në vitin 2013, do t’i mundësonte komunitetit serb të menaxhojë çështje të tilla si: zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe planifikimi urban dhe rural në zonat e tij.

Qeveria e Kosovës refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Qeveria e Serbisë, në anën tjetër, e sheh Asociacionin si mbrojtje të rëndësishme për serbët në Kosovë.

Shija e redaktorit

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

Të fundit nga rubrika