Atë që i është kërkuar ta bëjë tash e dy javë në emisionin Debat Plus, sqarime për procesin e ankandit për ndërtimin e parkut solar me kapacitet 100 megavat, ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli zgjodhi ta bëjë përmes një konferencë për media.
Jo vetëm këtë, Zyra e saj ftoi konferencë siç thanë ‘rreth çështjeve aktuale dhe adresimit të paqartësive e dezinformatave lidhur me sektorin e energjisë’.
Në emisionin Debat Plus u publikuan dokumente të cilat dëshmojnë se si KOSTT-i kishte dhënë garancion bankar për një operator
ekonomik privat, e që sipas Rizvanollit kjo është bërë për shkak të gjendjes financiare jo të mirë të KOSST-it.
“Asnjë institucion nuk ka lëshuar një garancion të tillë, ai parashihet të lëshohet nga KOSST me rastin e fillimit të prodhimit të energjisë nga parku solar, garancioni do të aktivizohej vetëm në rast se do kishte vonesa të konsiderueshme në realizimin e pagesave nga ana e KOSST me ç’rast investitori do të inkasonte borxhin jo tërë vlerën e garancionit..”, ka thënë Artane Rizvanolli – Ministre në detyrë e Ekonomisë.
Rizvanolli, ajo i është përgjigjur edhe deputetes së LDK-së, për dyshimet e ngritura për tenderin prej 137 milionësh në KEK.
“Personalisht nuk e kam parë dosjen e tenderit por nga KEK më njoftojnë se dokumentacioni e tenderi i shpallur nga KEK është i hapur konkurrues e jo diskriminues në përputhje të plotë me ligjin për prokurim publik, dhe standarde ndërkombëtare..”, ka thënë Artane Rizvanolli – Ministre në detyrë e Ekonomisë.
Tek ka folur për akuzat për mafi energjetike, që partitë e tjera i kanë bërë tha se kjo nuk ekziston në Kosovë.
“Një term që po thuhet tash e disa muaj Mafia energjetike nuk kam fol më herët për këtë se është palidhje dhe e pabazë, saqë nuk më është dukur e denjë që ta them, fatkeqësisht nuk po ndalen disa, mafia energjetike në Ballkan edhe mund të ekzistojë e ta ketë selin në Beograd por asnjë institucion i republikës së Kosovës nuk ka ndonjë raport apo lidhje me ta.”, ka thënë Artane Rizvanolli – Ministre në detyrë e Ekonomisë.
Ajo ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka qenë në kolaps energjetik përkundër sfidave, për shkak të termocentraleve të vjetruara.