Rrëfimi i shqiptarëve të Ukrainës mbi përjetimet e tyre të luftës

Pas bombardimeve nga forcat e Rusisë në afërsi të Odesës, në Ukrainë, frika e banorëve të Karakurtit vazhdon të jetë prezent

Ilustrim

Frika për banorët e fshatit Karakurt, ka trokitur për të disatën herë në dyert e tyre, pasi ky fshat ishte disa herë shënjestër e sulmeve të ushtrisë ruse.

Ndonëse eksodi kishte nisur që nga shkurti i vitit 2022 për shkak të agresionit rus, disa nga qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë brenda territorit të Ukrainës.

Shqiptarët e Ukrainës kanë rrëfyer përjetimet e tyre të luftës dhe frikës.

“Çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë, unë do të jem këtu”, ka thënë Aleksandër Dermentli, një shqiptar nga fshati Karakurt i Ukrainës.

Dermentli, 55-vjeçar, është shprehur se ka disa shqiptarë që luftojnë në krah të forcave ukrainase, por nuk ka dhënë më shumë detaje për ta, shkruan REL.

Dermentli, i cili udhëheq Shoqatën “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”, thotë se në këtë vend jetojnë rreth pesë mijë shqiptarë – të përqendruar kryesisht në rajonin e Odesës dhe të Zaporizhjas.

Aleksandër Dermentli. Fotografi nga arkivi.

Teksa bombardimet dëgjohen vetëm natën, në këtë fshat situata është e qetë, ka thënë Dermentli.

Ai ka treguar se fshati është mbushur me shqiptarë të tjerë që janë zhvendosur nga zona e Kievit dhe e Odesës.

“Një familje nga qyteti Irpin ka ikur në Shqipëri dhe ka shumë familje [me prejardhje shqiptare] që kanë ikur në Gjermani, në Poloni ka shumë, në Zvicër ka pak”, shtoi ai.

Megjithatë, ai ka theksuar se qëndron në kontakt edhe me disa shqiptarë në Zaporizhja –  zonë më e prekur nga luftimet, në mënyrë që të konfirmojë se kanë furnizime të mjaftueshme me ushqime dhe medikamente.

Ndërkaq, bashkëvendësja e Dermentlit, Nelli Syupyur, e cila me profesion është koreografe, bashkë me djalin e saj trevjeçar është zhvendosur në qytetin Gisen të Gjermanisë, kurse bashkëshorti i saj ka qëndruar në Ukrainë.

Nelli Syupyur, shqiptare nga Ukraina (djathtas) pak pasi ka arritur nga Ukraina në Gjermani me djalin e saj. Vjollca (në mes) shqiptare nga Gjermania i ka ndihmuar të sistemohet.

Kjo për shkak të ligjit të luftës, i cili nuk i lejon burrat e aftë për luftime, të ikin jashtë vendit.

Syupyur ka treguar se pak ditë pasi ka nisur lufta është larguar nga Odesa për të kaluar kufirin me Poloninë.

Atje thotë se e kanë ndihmuar disa shqiptarë nga Gjermania, duke e shoqëruar për në këtë shtet.

Pasi të përfundojë lufta, Nelli thotë se dëshiron të jetojë në Shqipëri.

“Kishim plan me burrin të shkonim në Shqipëri dhe Kosovë, sepse djali im ka lindur në Tiranë. Dëshiroj që ai ta dijë gjuhën letrare [shqipe] dhe të shohë tokën ku ka lindur”, ka thënë Nelli.

Por, për shkak të situatës në Ukrainë, ajo ka potencuar se rrallë arrin të kontaktojë me bashkëshortin.

“Burri mendon për neve, më thotë puthe djalin, më do edhe mua, flasim pak”, ka treguar ajo shkurtimisht.

Nelli tregon se autoritetet gjermane e kanë financuar, i kanë dhënë një apartament dhe se tani pret të nisë kursin e gjuhës vendase.

Nga Kievi në Ivano-Frankvisk

Maxim Kirchev, 39-vjeçar, po ashtu me prejardhje shqiptare, është larguar nga Kievi në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit.

Ai ka deklaruar se bashkë me gruan e tij, Ludmillën, dhe dy fëmijët e tij janë larguar nga kryeqyteti ukrainas pak pas sirenave të para për sulme.

Maxim Kirchev me motrën e tij, Nina Kirchev. Fotografi nga arkivi.

“Kam qenë i përgatitur me familjen time, sepse ka qenë presion i madh dhe ne kemi fëmijë. Unë e kam parashikuar një sulm të tillë, jo vetëm me trupa, por edhe me sulme ajrore. Prandaj, qëkur kanë nisur sulmet e para, ne kemi tentuar të largohemi nga Kievi, para se të bllokoheshin rrugët”, ka rrëfyer Maximi.

Ai dhe familja e tij janë duke jetuar tani në Ivano-Franvisk, një qytet në perëndim të Ukrainës, prej nga është edhe gruaja e tij.

Maximi ka theksuar se ka nisur të punojë në një kompani për telekomunikime dhe se, tash për tash, nuk planifikon të kthehet në Kiev.

“Kishim plane për hapjen e shkollës shqipe”.

Por, fundi i luftës nuk duket afër.

Pas dështimit për të marrë kontrollin e Kievit dhe për të rrëzuar Qeverinë atje, ushtria ruse ka përqendruar ofensivën në juglindje të Ukrainës.

Nga të dyja anët ka luftime të ashpra, ndërkohë që edhe bisedimet për të gjetur zgjidhje vazhdojnë, por, deri më tash, pa ndonjë rezultat.

Ndryshe, të parët e shqiptarëve të Ukrainës besohet se kanë arritur atje rreth 200 vjet më parë, për t’iu ikur atëbotë luftërave të Perandorisë Osmane në zonën e Ballkanit.

Shumë prej tyre besohet se kanë ruajtur gjuhën dhe traditën.

Shija e redaktorit

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Të fundit nga rubrika