Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka paralajmëruar se sot do të dorëzohet padi në Gjykatën Supreme për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili parasheh shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti elektrik.
Rafuna tha se OEK-u do ta shfrytëzojë hapësirën ligjore për të mbrojtur bizneset e vendit.
“Ne sot, në emër të anëtarëve të OEK-ut, do të paraqesim kërkesë-padi në Gjykatën Supreme. Lënda është kompletuar dhe sot do të dorëzohet në administratën e Gjykatës Supreme. Do të kërkojmë të drejtën që na takon me ligj, në emër të bizneseve. Nuk kemi pasur mundësi të paraqitemi në Gjykatën Komerciale, por në Gjykatën Supreme kemi gjetur hapësirën ligjore për të vepruar”, tha ai.
Sipas Rafunës, procesi është shoqëruar me veprime të kundërligjshme dhe të padrejta, që kanë dëmtuar rëndë ekonominë e vendit. Ai e kritikoi edhe mënyrën se si janë bërë ndërprerjet, duke theksuar se ato i kanë ekspozuar bizneset si të paligjshme.
“Në këtë proces kanë ndodhur shumë veprime të pamenduara, të padrejta dhe të kundërligjshme. Nuk është e drejtë që energjia të ndërpritet ditën e shtunë, kur bizneset mbeten pa mundësi të reagojnë deri të hënën. Për më tepër, me prezencën e policisë, bizneseve u është krijuar një imazh i rremë sikur të ishin subjekte kriminale, kur në fakt bëhet fjalë për biznese të ndershme që paguajnë tatimet e tyre”, tha Rafuna për Ekonomia Online.
Ai njoftoi se sipas të dhënave të OEK-ut deri më tani janë shkyçur nga rrjeti rreth 450 biznese, ndërsa pritet që ky numër të rritet në ditët në vijim.
“Deri tani kemi rreth 450 biznese të shkyçura. Pritet që sot të ketë edhe shkyçje të tjera nga KESCO dhe ZRRE. Kërkesa jonë është që këto veprime të pezullohen menjëherë për të mos shkaktuar dëme edhe më të mëdha për bizneset dhe ekonominë e vendit”, tha ai.
Rafuna paralajmëroi se dëmet e shkaktuara janë të pariparueshme dhe akuzoi ZRRE-në për veprime të dhunshme, ndërsa kritikoi edhe heshtjen e qeverisë.
“Dëmi i shkaktuar është i pariparueshëm. Veprimet e ZRRE-së kanë qenë të dhunshme dhe të kundërligjshme. Edhe heshtja e qeverisë përballë një problemi kaq të madh, kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm jo vetëm për ekonominë e bizneseve, por edhe për qytetarët e Kosovës, është e padrejtë”, theksoi ai.
Ndërkohë, ZRRE-ja ka bërë të ditur se që nga e shtuna, më 16 gusht, ka nisur shkyçjen nga rrjeti për të gjitha bizneset që duhet të kalojnë në tregun e hapur të energjisë, nëse ato nuk kanë lidhur kontrata me furnizues privat. Ky veprim erdhi pasi Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale i dha të drejtë ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Vendimi për liberalizimin ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, sipas të cilit kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur. Për të mos mbetur pa energji gjatë periudhës tranzitore, bizneset u furnizuan përkohësisht nga KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit.