Rritja e çmimit të rrymës, LDK: Qeveria nuk e mori parasysh kërkesën tonë për uljen e TVSH-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku është theksuar se brenda dy vjetësh të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë

Besian Mustafa, deputet i LDK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, se për herë të dytë në dy vjet të qeverisjes është ngritur çmimi i energjisë elektrike për të gjithë qytetarët.

“Për herë të dytë në këto dy vjet të Qeverisë, të gjithë qytetarëve u ngritët çmimi i energjisë elektrike, kësaj here për 15.4%. E tëra kjo, në këtë kohë krize ku çmimet e produkteve esenciale janë rritur për 50%, ku tatimi në pronë është rritur për 100%, kur pagat nuk janë rritur as në sektorin publik e as atë privat dhe kur kursimet pensionale në Trust janë zvogëluar për 156 milionë euro”, është shprehur ai.

Mustafa, në një konferencë për media të mbajtur të premten e 31 marsit, një ditë pas vendimit të ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka thënë se Qeveria Kurti për dy vjet nuk ka investuar “asnjë cent në krijimin e kapaciteteve të reja të gjeneratorit në sektorin e energjisë elektrike”.

Sipas tij, Qeveria duhet urgjentisht të investojë në krijimin e kapaciteteve vendore të gjenerimit të energjisë elektrike, në partneritet të plotë me sektorin privat, vendor dhe ndërkombëtar.

“Këto investime duhet përqendruar në burimet e ripërtëritshme të energjisë, si dhe te termocentrali me gaz që siguron tranzicion të qëndrueshëm”, ka deklaruar ai.

“Investimi i këtyre milionave në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese është e vetmja zgjidhje afatgjate e qëndrueshme. Për më keq, procesi i remontit të blloqeve të KEK-ut ishte vonuar shumë gjatë këtyre dy viteve, duke ulur ndjeshëm prodhimin vendor e duke rritur nevojën për import të energjisë me çmime tejet të larta”, është shprehur tutje Mustafa.

Ai ka shtuar se dështimet ekonomike të Qeverisë Kurti në sektorin e energjisë elektrike janë edhe për shkak se Qeveria nuk e ka marrë parasysh kërkesën e tyre për uljen e TVSH-së në faturat e energjisë elektrike në 0%.

Gjithashtu, ai ka thënë se format e subvencionimit të faturave nga Qeveria nuk janë zgjidhje, pasi, sipas tij, nëse të gjitha ato para do të investoheshin në prodhimin e energjisë, vendi nuk do të përballej me këto probleme.

Shija e redaktorit

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Të fundit nga rubrika