James Rubin tha në Hagë se komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) i ka parë më shumë si përpjekje që kjo organizatë të dukej më e rëndësishme nga që ishte në realitet.
“Kam lexuar ndonjëherë komunikata, por më shumë i kam konsideruar përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se çka ishte në realitet”, tha James Rubin, raporton Betimi për Drejtësi.
Përveç kësaj, Rubin tha se këto komunikata nuk i janë dukur asgjë më shumë përveçse manipulime.
“Për mua nuk ishin asgjë sesa manipulime”, tha James Rubin.
I njëjti u pyet nëse ka pasur analiza nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me komunikatat.
“Kishte grupe e klane por jo që kishin strukturë formale ushtarake. Nëse do të kishte ekzistuar një strukturë e tillë sa i takon analizës së tyre ushtarake, atëherë ky informacion do të ishte intelegjencë dhe unë duhej ta kisha ditur”, tha dëshmitari.
Gjithashtu, James Rubin u pyet nëse dinte se në UÇK ka pasur Polici Ushtarake, por ai tha se nuk e dinte këtë gjë. Tha se vetëm ka parë persona me uniforma e po ashtu edhe persona që nuk i kishin ato.
Rubin sërish përsëriti se UÇK-ja nuk ka qenë ushtri e rregullt që ta ketë një strukturë të mirëfilltë.
Ai gjithashtu u pyet edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, për çka deklaroi se me shumë mundësi e ka diskutuar këtë çështje me Thaçin dhe mendon se ka bërë përpjekje lidhur me këtë temë.
Me kaq përfundoi pyetjet gjyqtari për të vazhduar me rimarrje në pyetje na mbrojtja e Thaçit, avokati Luka Mishetiq.