Në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi rëndësinë e forcimit të aleancës mes SHBA-ve dhe Europës.
“Edhe pse shtëpia jonë është në Hemisferën Perëndimore… ne do të mbetemi gjithmonë një fëmijë i Europës. Kolonitë e para u themeluan nga kolonistët anglezë, të cilëve u detyrojmë jo vetëm gjuhën që flasim, por tërë sistemin tonë politik dhe ligjor”, tha Rubio.
Ai shtoi se SHBA-të po përpiqen të “ringjallin një miqësi të vjetër dhe të rinovojnë qytetërimin më të madh në historinë e njerëzimit”, duke e vendosur këtë si thelb të politikës amerikane ndaj Europës dhe botës.
Rubio foli gjithashtu për luftën në Ukrainë, duke nënvizuar se SHBA-të janë të përkushtuara të testojnë marrëveshjet që mund të arrihen midis Kievit dhe Moskës, ndërkohë që janë vendosur sanksione të reja ndaj naftës ruse dhe po bashkëpunojnë me Indinë dhe Europën për të ndaluar importet shtesë.
Ai theksoi se armët amerikane po shiten për Ukrainën dhe se janë bërë progres për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, megjithëse sfidat mbeten të mëdha.
“Lajmi i mirë është se çështjet që duhet të adresohen për të ndaluar luftën janë ngushtuar. Lajmi i keq është se janë ngushtuar tek pyetjet më të vështira për t’u zgjidhur”, shtoi Rubio.
Sekretari amerikan tha se nuk është i sigurt nëse Rusia është serioze për të përfunduar luftën, por theksoi se “ata thonë se janë”.