Rusia njoftoi këtë të shtunë se forcat e saj kanë marrë nën kontroll dy fshatra në rajonin e Donjeckut, duke rritur presionin në lindje të Ukrainës në një kohë kur udhëheqësit botërorë po kërkojnë zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, e cila publikoi njoftimin në Telegram, trupat ruse kanë pushtuar fshatrat Sredenje dhe Kleban-Bik. Marrja e Kleban-Bik shihet si një avancim strategjik drejt qytetit të fortifikuar Kostiantinivka, që gjendet në rrugën për në Kramatorsk, ku ndodhet një bazë e madhe logjistike e forcave ukrainase.
Ky njoftim vjen vetëm një ditë pasi Moska deklaroi se kishte marrë kontrollin e tre fshatrave të tjerë në Donjeck.
Ndërkohë, në skenën diplomatike, përpjekjet për të organizuar një samit mes presidentëve rus dhe ukrainas duket se janë zbehur. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se “nuk është planifikuar ndonjë takim”, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën për zgjatjen e ofensivës.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se brenda dy javësh do të marrë një vendim “të rëndësishëm” mbi hapat për paqen në Ukrainë. Ai përmendi si opsione vendosjen e sanksioneve masive ndaj Rusisë, por nuk përjashtoi edhe mundësinë që “të mos ndërmarrë asgjë”./EN