Rusia sulmon portet ukrainase në Danub

Dronët rusë goditën sot infrastrukturën portuale të lumit Danub në pjesët jugore të rajonit të Odesas, duke plagosur të paktën dy persona, njoftuan zyrtarët ukrainas

Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë të Rusisë Dmitry Medvedev akuzoi sot Japoninë se duke ndihmuar Kievin, po përfshihet në konflikt ushtarak me Rusinë. Në një fjalim të ashpër që mbajti në një qytet rus shumë pranë Japonisë, Medvedev njoftoi gjithashtu se Forcat e Armatosura ruse janë shtuar me qindra mijëra pjesëtarë të rinj.

Ndërkohë sot Kievi akuzoi Moskën se po vazhdon me bombardimin e porteve në qytetin e Odesës, jetike për dërgesat e grurit të Ukrainës, pas prishjes së marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB-ja, që i mundësonte Ukrainës eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi.

Dronët rusë goditën sot infrastrukturën portuale të lumit Danub në pjesët jugore të rajonit të Odesas, duke plagosur të paktën dy persona, njoftuan zyrtarët ukrainas.

Ata nuk dhanë detaje se çfarë u godit konkretisht, por disa media ukrainase raportuan shpërthime në portin Reni, i cili së bashku me Izmail-in, konsiderohen si dy portet kryesore të Ukrainës në Danub. Autoritetet ushtarake thanë se një zjarr që shpërtheu si pasojë e sulmit ishte shuar me shpejtësi.

Ukraina rrëzoi 22 nga 25 dronë Shahed të prodhuar nga Irani që Rusia i lëshoi në drejtim të rajonin jugor të Odesës mëngjesin e të dielës, shkruanin Forcat Ajrore të Ukrainës në aplikacionin Telegram.

“Ne e kemi mbrojtur Odesën nga shkatërrimi. Sepse regjimi rus nuk mund të sjellë asgjë përveç degradimit dhe ne do t’i kthejmë sigurinë Odesës. Odesa ka qenë gjithmonë një vend ku ndihesh i lumtur”, tha Presidenti ukrainas gjatë fjalimit të përditshëm ndërsa iu drejtua banorëve të qytetit të Odesës në Ditën e Qytetit.

Një ditë më parë Zelenskiy tha se ushtria ukrainase po përparon në kundërofensivën e saj ndaj forcave ruse, duke hedhur poshtë deklaratat e zyrtarëve perëndimorë që thonë se Ukraina po fiton terren me shumë ngadalësi.

Falë kundërofensivës, që tashmë ka hyrë pothuajse në muajin e tretë të saj, Kievi ka arritur të rimarrë mbi dymbëdhjetë fshatra, por jo qendra të mëdha, ndërkohë që përparimi është penguar nga fusha të gjera të minuara dhe vijat mbrojtëse të forcave ruse.

Këtë javë, zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti, shprehën zhgënjimin me progresin e ngadaltë të operacionit dhe madje fajësuan për këtë strategjinë ukrainase. Komentet u bënë të ditura në artikuj perëndimorë që shkaktuan zemëratën e Kievit.

“Forcat ukrainase po lëvizin përpara. Megjithë zhvillimet dhe çfarëdo thotë ndokush, ne po përparojmë, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Jemi në lëvizje”, shkruante Zelensky në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Kievi thotë se ka përparuar qëllimisht ngadalë për të minimizuar humbjet, dhe se përparimi është ndërlikuar së tepërmi nga mungesa e fuqisë moderne ajrore. Rusia në anën tjetër e ka përshkruar tashmë kundërofensivën ukrainase si një dështim.

Po sot Nënkryetari i Këshillit rus të Sigurisë Dmitry Medvedev njoftoi se Forcat Ajrore ruse janë rritur gjatë këtij viti me një numër të madh anëtarësh.

“Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, që nga 1 janari i këtij viti rreth 280 mijë persona janë pranuar në radhët e Forcave të Armatosura ruse. Disa prej tyre ishin rezervistë, disa prej tyre janë vullnetarë dhe kategori të tjera”, thotë Medvedev.

Medvedev i bëri deklaratat ndërsa vizitoi qytetin Yuzhno-Sakhalinsk që shtrihet pjesën më lindore të Rusisë, shumë pranë Japonisë. Gjatë fjalimit,  Medvedev akuzoi Japoninë se po “përfshihet në përplasje ushtarake” për shkak të ndihmës çdo herë e më të madhe që po i ofron Ukrainës, sikurse tha ai./VOA

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika