Rusia vë në shërbim aktiv sistemin raketor bërthamor Oreshnik

Sistemi raketor Oreshnik i Rusisë, i aftë për të mbajtur koka bërthamore, ka hyrë në shërbim aktiv, njoftoi të martën Ministria ruse e Mbrojtjes, në një kohë kur negociatorët vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje në bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë.

Sipas ministrisë, trupat mbajtën një ceremoni të shkurtër për këtë rast në Bjellorusi, vend fqinj ku raketat janë dislokuar. Nuk u bë e ditur numri i raketave të vendosura dhe as detaje të tjera, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Presidenti rus Vladimir Putin kishte deklaruar më herët në dhjetor se Oreshnik do të hynte në detyrë luftarake gjatë këtij muaji. Ai e bëri këtë deklaratë në një takim me drejtues të lartë ushtarakë, ku paralajmëroi se Moska do të kërkojë të zgjerojë fitimet e saj në Ukrainë nëse Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë refuzojnë kërkesat e Kremlinit në bisedimet e paqes.

Njoftimi vjen në një moment kritik për bisedimet Rusi–Ukrainë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti të dielën presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në resortin e tij në Florida dhe këmbënguli se Kievi dhe Moska janë “më afër se kurrë më parë” një marrëveshjeje paqeje.

Megjithatë, negociatorët ende po kërkojnë një përparim në çështje kyçe, përfshirë tërheqjen e forcave nga zonat përkatëse në Ukrainë dhe fatin e centralit bërthamor të Zaporizhzhias, nën kontroll rus, një nga 10 më të mëdhenjtë në botë. Trump vuri në dukje se negociatat disamujore të udhëhequra nga SHBA-ja mund të dështojnë ende.

Putin ka tentuar të paraqitet si negociator nga një pozitë force, teksa forcat ukrainase përpiqen të përballojnë ushtrinë më të madhe ruse.

Në një takim me drejtues të lartë ushtarakë të hënën, Putin theksoi nevojën për krijimin e zonave tampon ushtarake përgjatë kufirit rus. Ai gjithashtu pretendoi se trupat ruse po avancojnë në rajonin lindor të Donetskut dhe po intensifikojnë ofensivën në rajonin jugor të Zaporizhzhias.

Rusia e përdori për herë të parë Oreshnikun – që në rusisht do të thotë “lajthi” – kundër Ukrainës në nëntor të vitit 2024, kur lëshoi këtë armë eksperimentale drejt një fabrike në Dnipro, e cila prodhonte raketa në kohën kur Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Putin ka lavdëruar aftësitë e Oreshnikut, duke thënë se kokat e shumta luftarake të tij, të cilat bien drejt objektivit me shpejtësi deri në Mach 10, janë të pamundura për t’u interceptuar.

Ai ka paralajmëruar Perëndimin se Moska mund ta përdorë këtë sistem edhe kundër aleatëve të NATO-s të Ukrainës, të cilët i kanë lejuar Kievit të përdorë raketa me rreze më të gjatë për të goditur brenda territorit rus.

Shefi i forcave raketore ruse ka deklaruar gjithashtu se Oreshniku, i cili mund të mbajë koka konvencionale ose bërthamore, ka një rreze veprimi që i lejon të arrijë në të gjithë Evropën.

Raketat me rreze të mesme veprimi mund të fluturojnë nga 500 deri në 5.500 kilometra. Armë të tilla ishin të ndaluara sipas një traktati të epokës sovjetike, nga i cili Uashingtoni dhe Moska u tërhoqën në vitin 2019.

Shija e redaktorit

Kosova voton sot

Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë sot (e diele) më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa...

Osmani takon zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon të hënën në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit...

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Të fundit nga rubrika