Ruzhdi Shehu i LDK-së: AAK-ja me fushatë propaganduese po arsyeton humbjen në Junik, rezultatet preliminare na shpallin fitues

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, vlerëson se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për shkak të humbjes në mënyrë të organizuar janë duke organizuar fushatë propaganduese she shpifëse që sipas tij kanë qëllim arsyetimin e humbjes dhe debaklit që patën në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Shehu thotë se nga rezultatet preliminare të publikuara në faqen e KQZ, del se LDK është partia e parë në këto zgjedhje dhe se aktualisht janë duke pritur numërimin e votave të mërgatës, personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht, njofton Dukagjini.

Tutje, Shehu shprehet i bindur se pas përfundimit të numërimit të votave, LDK-ja do të shpallet fituese e zgjedhje në komunën e Junikut – pa balotazh.

“Për të përmbyllur këtë reagim, LDK në Junik është duke pritur me qetësi certifikimin e zgjedhjeve nga KQZ dhe konfirmimin e LDK si fituese të këtyre zgjedhjeve. Faleminderit për qindra urimet dhe mesazhet mbështetëse që kam pranuar nga qytetarët që jetojnë në Junik dhe në mërgatë. Njëkohësisht ju bëjmë thirrje që të mos ndikohen nga provokimet, shpifjet apo akuzat e pabazuara të eksponentëve politik të AAK dega në Junik”.

Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Junik

Komunikata e LDK Dega në Junik lidhur me deklaratat e pavërteta të përfaqësuesve të AAK-së në Junik

Fillimisht ju faleminderit të gjitha mediave për interesimin dhe për mundësinë që të prezantojmë përgjigjen tonë lidhur me deklaratat shpifëse dhe akuzat e pabazuara të partisë AAK – dega në Junik dhe eksponentëve të tyre.

Më 12 tetor 2025 janë mbajtur zgjedhjet lokale në Komunën e Junikut. Procesi i mbarëvajtjes së zgjedhjeve ka qenë i rregullt dhe pa incidente. Nga rezultatet preliminare të publikuara në faqen e KQZ, del se LDK është partia e parë në këto zgjedhje. Aktualisht jemi në pritje të numërimit të votave të mërgatës, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht. Përndryshe jemi të bindur se pas përfundimit të numërimit të votave, LDK do të shpallet fituese e këtyre zgjedhjeve në komunën e Junikut pa balotazh.

Partia AAK dega në Junik për shkak të humbjes së zgjedhjeve në Junik, në mënyrë të organizuar janë duke zhvilluar një fushatë propaganduese dhe shpifëse me qëllim të njollosjes së procesit demokratik të zgjedhjeve të 12 tetorit në Junik si dhe me qëllim që para elektoratit të tyre të mundohen që të arsyetojnë humbjen dhe debaklin që kanë pësuar në këto zgjedhje.

Në thelb, akuza e AAK përmban dy (2) elemente kryesore:

  1. Sipas tyre, “në vitin 2025 në Junik janë evidentuar rreth 300 votues më shumë sesa në vitin 2021”, si dhe
  2. Sipas tyre, “në Junik në zgjedhjet e 12 tetorit kanë marrë pjesë në votime disa persona të cilët kanë mbiemra ata mendojnë që nuk janë të Junikut”.

Sa i përket rreth 300 votuesve të cilët janë shtuar në listën e votuesve për Komunën e Junikut në vitin 2025, ju njoftojmë si në vijim:

– Në komunën e Deçanit në vitin 2021 kanë qenë të regjistruar 39,875 votues. Ndërsa në vitin 2025 kanë qenë të regjistruar 41,444 votues apo 1,569 votues më shumë sesa në vitin 2021.

– Në komunën e Gjakovës në vitin 2021 kanë qenë të regjistruar 113,165 votues. Ndërsa në vitin 2025 kanë qenë të regjistruar 121,768 votues apo 8,603 votues më shumë sesa në vitin 2021.

– Në nivel të Kosovës (pra të gjitha komunat) në vitin 2021 kanë qenë të regjistruar 1,885,448 votues. Ndërsa në vitin 2025 kanë qenë të regjistruar 2,025,105 votues apo 139,657 votues më shumë sesa në vitin 2021.

Në vazhdën e të dhënave më sipër, ju njoftojmë se pothuajse në secilën komunë është rritur numri i votuesve në vitin 2025 në raport me vitin 2021. Këtu përfshihen edhe komuna e Deçanit dhe komuna e Gjakovës ku pikërisht AAK ka fituar zgjedhjet (sikurse LDK në Junik). Mirëpo çuditërisht thirrja e tyre për të hetuar procesin zgjedhor për shkak të këtij fakti nuk e përfshin edhe Gjakovën dhe Deçanin ku ata kanë fituar zgjedhjet, por i referohet vetëm Junikut ku ata i kanë humbur zgjedhjet.

E vërteta në gjithë këtë ngjarje, ka të bëj me faktin që Ministria e Punëve të Brendshme përmes Agjencisë së Regjistrimit Civil në muajin korrik të vitit 2025 ka njoftuar të gjithë qytetarët e Kosovës se pas muajit 1 gusht 2025, asnjë qytetarë nuk mund të shkarkoj dokumentet e gjendjes civile përmes platformës e-Kosova (as fizikisht në sportelet e komunave), pa i përditësuar të dhënat lidhur me vendbanimet e tyre. Si rrjedhojë, qytetarët në gjithë Kosovën (duke përfshirë edhe Junikun, Deçanin, Gjakovën, Prishtinën, etj) kanë përditësuar adresat e vendbanimeve të tyre në platformën e-Kosova. Më tutje, KQZ përmes ARC ka përditësuar listën e votuesve ashtu që për një numër shumë të madh të qytetarëve në gjithë Kosovën janë ndryshuar vendvotimet. Në fakt edhe mediat kanë raportuar për faktin që shumë qytetarëve u janë ndryshuar vendvotimet e tyre në mënyrë automatike nga KQZ dhe ky fakt tanimë është i njohur për publikun. Përndryshe edhe vet KQZ pak ditë para zgjedhjeve ka bërë një njoftim publik lidhur me ndryshimin e vendvotimeve të qytetarëve.

Sidoqoftë, paradoksi në gjithë këtë mes është fakti që akuzat e AAK drejtohen kundër LDK dega në Junik, për proceset që janë zhvilluar nga KQZ dhe ARC. Natyrisht që një akuzë e tillë është jo vetëm e pabazuar por edhe e palogjikshme. Në anën tjetër, duhet cekur se në RKS është në fuqi edhe ligji nr. 02/L-121 për vendbanimin dhe vendqëndrimin ku secilit qytetar i garantohen e drejta e ndryshimit të vendbanimit në mënyrë të lirë.

Sa i përket ndryshimit të vendbanimit, duhet të shtohet edhe një fakt me rëndësi. Ndryshimi i vendbanimit nuk bëhet nga komunat por nga zyret e gjendjeve civile të cilat janë në kuadër të ARC/MPB. Pra për të ndryshuar vendbanimin, kompetente është MPB përmes ARC dhe jo Komuna. Ky fakt është i mirënjohur pa çka se është i përkufizuar edhe në ligjin në fuqi për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Një shembull tipik të ndryshimit të vendvotimit për shkak të ndryshimit të vendbanimit është po ashtu rasti i z. Ramush Haradinaj i cili është edhe kryetar i AAK. I njëjti jeton dhe vepron në Komunën e Graçanicës konkretisht në lagjen luksoze të njohur si lagja “Marigona”. I njëjti në këto zgjedhje e ka ndryshuar vendbanimin në vendin e tij të lindjes në fshatin Gllogjan të Deçanit, ndërsa në zgjedhjet e 12 tetorit ka votuar pikërisht në Deçan. Konsiderojmë se një veprim i tillë është tërësisht i ligjshëm dhe LDK nuk bën thirrje për të hetuar penalisht këtë rast siç ka bërë thirrje vet partia e z. Ramush Haradinaj.

Kaq sa i përket akuzave për ndryshimin e vendvotimeve. Ndërsa sa i përket rritjes së numrit të votuesve, siç është cekur edhe më sipër, ndoshta në Junik janë shtuar më së paku votues në raport me Komunat tjera (edhe nëse e shprehim këtë rritje në numra por edhe nëse e shprehim në përqindje në raport me numrin e votuesve pjesëmarrës në zgjedhjet e 12 tetorit). Sidoqoftë, rritja e numrit të votuesve mund të ndodhë mbi bazën e shumë faktorëve. Fillimisht, çdo vit në Junik shtohen nga 50 deri në 70 votues të rinj të cilët mbushin 18 vjet dhe regjistrohen si votues për herë të parë. Përndryshe, është fakt i njohur që KQZ në çdo palë zgjedhje vetëm i shton votuesit e rinj në listën e votuesve mirëpo nuk i largon nga lista e votuesve personat që kanë ndërruar jetë. Kjo e shpjegon edhe faktin që në listën e KQZ ka më shumë votues sesa banorë rezident në listën e ASK (Agjencinë e Statistikave të Kosovës).

Tutje, në Junik ndodhin me dhjetëra martesa brenda një viti ku qytetarët e Junikut martohen me qytetarë nga komuna të tjera. Në këto raste çiftet martesore mund të vendosin që të regjistrojnë vendbanimin e tyre në Junik dhe rrjedhimisht të regjistrohen edhe si votues në Komunën e Junikut. Ngjashëm edhe vajzat që kanë lindur në Junik dhe janë martuar mund të vazhdojnë të jetojnë në Junik dhe të jenë votuese të Junikut. Kur jemi te martesat, sipas ligjit në fuqi për familjen, secili qytetar me rastin e lidhjes së martesës ka të drejtën që të ruaj mbiemrin e vet/saj, prandaj kjo mund të arsyetoj edhe faktin që në Junik vazhdimisht është në rritje numri i personave me mbiemra që mund të mos jenë të zakonshëm. Tutje, gjatë mandatit të LDK në Junik, janë krijuar kushte shumë të mira për të bërit biznes. Prandaj ekzistojnë me dhjetëra raste kur personat nga jashtë Junikut kanë zhvendosur vendbanimin e tyre për shkak se kanë gjetur një vend të punës në Junik së sektor të ndryshëm. Mirëpo mbi të gjitha, duhet cekur faktin që Juniku është një nga vendet më të bukura që ekzistojnë në Kosovë. Maja më e lartë në Kosovë është maja e Gjeravicës e cila ndodhet në Junik. Prandaj nuk e kuptojmë pse duhet të kufizohet e drejta e qytetarëve për zgjedhur vendbanimin e tyre sipas ligjit në fuqi.

Sa i përket personave që sipas eksponentëve të AAK në Junik kanë mbiemra që nuk janë të Junikut, duhet potencuar një detaj shumë të rëndësishëm. Asnjë parti politike nuk ka dhe nuk duhet të ketë qasje në listën e personave që kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Prandaj dilema kryesore në këtë rast është se prej nga e paskan siguruar ata informacionin dhe kush paska votuar dhe për kë paskan votuar personat e caktuar në Junik! Vota është e fshehtë pa çka është e drejtë kushtetuese e garantuar. Prandaj AAK nuk do të duhej të dinte se cili person me mbiemër atipik (sipas tyre) paska votuar për LDK në zgjedhjet e 12 tetorit. Prandaj kjo çështje përbën me të vërtetë dyshim të arsyeshëm për hetime penale, dhe jo thirrjet shpifëse dhe të pabazuara nga eksponentët e AAK.

E vërteta është se në territorin e Komunës së Junikut, përkatësisht në lagjen “Agim Ramadani” dhe në lagje të tjera, jetojnë banorë me mbiemra që janë etiketuar padrejtësisht si “të huaj”. Këta janë banorë të vendosur në Junik që nga paslufta dhe taksapagues të rregullt të shërbimeve komunale. Mbiemrat e tillë përfshijnë: Nimanaj, Sadriaj, Neziraj, Nakaj, Topalli, Mazrekaj, Tolaj, Koliqi, Ramaj, Qelaj, Trezhnjeva, Asllani, Sadiku, Veseli, Rama, Kamberi, Ademaj, Latifi, Shahini, Zajmi, Emini, Gjuraj, Kastrati.

Gjithashtu, rikujtojmë se shumë shtete të Bashkimit Evropian u kanë mundësuar qytetarëve të tyre marrjen e dyshtetësive, gjë që ka ndikuar në rikthimin e shtetësisë së Kosovës për shumë bashkëqytetarë tanë që jetojnë jashtë vendit. Kjo po ashtu ka ndikuar që të rritet numri i votuesve krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Vlen theksohet edhe një fakt tjetër me shumë rëndësi. Në listat e votuesve të diasporës, të miratuar nga KQZ, figurojnë edhe persona me mbiemrat Berdynaj dhe Bozhdaraj të cilët po ashtu janë mbiemra atipik mirëpo të cilët në rastin konkret janë familjarë të njërit prej kandidatëve të AAK në Junik. Pra edhe familjarët e kandidatëve të AAK kanë mbiemra atipik dhe një fakt i tillë nuk është fare i kundërligjshëm, përkundrazi është diçka krejt normale.

Në fund por jo për nga rëndësia, duhet cekur faktin që AAK në Junik me datë 14.10.2025 ka parashtruar ankesë në PZAP e cila ankesë është hedhur poshtë si e palejuar përmes vendimit me shenjën ZL.Anr.217/2025. Ndër të tjera në këtë vendim, PZAP sqaron faktin që lista e votuesve është përcaktuar qysh para hapjes së fushatës zgjedhore. Në këtë listë kanë pasur qasje të gjitha partitë politike (dhe qytetarët përmes faqes së KQZ), prandaj të njëjtit nëse kanë pasur dyshime apo vërejte, është dashur që atëherë të parashtrohet ankesë dhe jo tani pas përfundimit të zgjedhjeve. Këtij konstatimi të saktë nga PZAP, i shtojmë edhe faktin që AAK në Junik menjëherë pas mbylljes së votimeve pas orës 19:00, në qendër të qytetit të Junikut ka festuar me fishekzjarrë duke menduar që ata do të fitojnë këto zgjedhje. Mirëpo pas numërimit të votave, është dëshmuar se junikasit as nuk blihen, as nuk shiten, as nuk frikohen por as nuk mashtrohen. Rrjedhimisht zgjedhjet i ka fituar LDK në Junik dhe vetëm pasi që AAK e ka kuptuar humbjen, kanë filluar të nxjerrin në publik akuzat dhe shpifjet për të cilat po tani po bëhet fjalë.

Me logjikën e pretendimeve të AAK në Junik, qytetarët e Kosovës duhet të votojnë vetëm në vendin ku kanë lindur. Po ashtu sipas tyre, lista e votuesve duhet të mbetet e njëjtë dhe numri i banorëve në një Komunë nuk duhet të ndryshoj. Mirëpo kjo logjikë e shprehur në këtë formë nuk gjen zbatim as në vendet me sundim monokratik dhe lëre më në shtetin e Kosovës. A e dini se sa shqiptar të Kosovës votojnë në shtetet Evropiane? A është e ndaluar kjo sipas AAK? 

Me shumë respekt e potencojmë edhe faktin që numri më i madh i banorëve të Junikut kanë migruar në shtetet perëndimore pikërisht gjatë kohës sa ka qeverisur AAK në Junik gjatë viteve 2009-2021. Prandaj për eksponentët politik të kësaj partie, është shumë befasues fakti që gjatë qeverisjes së LDK në Junik gjatë viteve 2021-2025, shumë qytetarë janë kthyer për të jetuar në Junik. Nga ky këndvështrim, shfrytëzojmë rastin që të ftojmë të gjithë personat nga Kosova dhe nga diaspora por edhe nga të gjitha vendet tjera, që të vijnë në Junik dhe të bëhen banorë të Junikut. Kjo sepse Juniku është vend shumë i bukur me shumë potencial. Në komunën e Junikut ka vend të mjaftueshëm për të gjithë dhe pa përjashtim të gjithë janë të mirëseardhur pavarësisht mbiemrit të tyre apo vendlindjes së tyre apo vendbanimit të tyre të mëhershëm.

Për të përmbyllur këtë reagim, LDK në Junik është duke pritur me qetësi çertifikimin e zgjedhjeve nga KQZ dhe konfirmimin e LDK si fituese të këtyre zgjedhjeve. Faleminderit për qindra urimet dhe mesazhet mbështetëse që kam pranuar nga qytetarët që jetojnë në Junik dhe në mërgatë. Njëkohësisht ju bëjmë thirrje që të mos ndikohen nga provokimet, shpifjet apo akuzat e pabazuara të eksponentëve politik të AAK dega në Junik.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika