Sa gabim u edukuam dhe u disiplinuam?!

Ilustrim

Nuk është më një sekret se jemi duke dështuar dita-ditës si shoqëri, si njerëz dhe si prindër edukues dhe disiplinues.

Sot, kur kemi skandale sociale me përfundim të dhimbshëm dhe makabër, fajësojmë institucionet, autoritetet, qeveritë etj., por shumë pak arrijmë ta prekim thellë prejardhjen e këtyre fenomeneve tronditëse, të cilat po ndodhin kohët e fundit.

Si psikolog, kompetencën më të madhe të kësaj dukurie të vrasjeve, dhunës dhe abuzimeve, mund ta japë vetëm në këndin psikologjik. Se çfarë ka ndikuar që sot kemi të rritur që vrasin dhe abuzojnë, ka etiologjinë e thellë në fëmijërinë e tyre, sesi u trajtuan, edukuan dhe çfarë modeli morën nga prindërit e tyre.

Edukimi dhe mentaliteti, si dhe mënyra sesi është justifikuar dhuna ndaj fëmijëve dhe grave, është ndër faktorët thelbësorë se përse sot vriten gratë shqiptare dhe jo vetëm ato. Të rritësh një fëmijë nën frymën e abuzimit, dhunës dhe traumës, krijohet një personalitet po aq abuzues dhe dhunues. Sot, që na abuzohen dhe vriten nënat dhe motrat tona, besa edhe miqtë, shokët tanë në mënyra makabre janë rezultat i ekspozimit të këtyre individëve në situata të keqedukimit, dhunës, abuzimit dhe traumave.

Në vazhdim, janë vetëm disa nga mënyrat e gabuara të edukimit që sot po marrin jetë grash:

Konceptet e gabuara të burrërisë

Që i vogël mbaj mend sesi komplimentoheshin dhe përkraheshin ata “burra” që rrihnin gratë e tyre, nga ku edhe fillon krijimi i koncepteve për burrërinë. Pra “një burrë i vërtetë rrah gruan e tij”, e ata meshkuj që ishin më të këndshëm me gratë e tyre, bullizoheshin, përqesheshin dhe iu vihej në pikëpyetje “burrëria” dhe vlerat mashkullore të tyre. Gjë që fatkeqësisht ndodh edhe sot.

Kjo shoqëri ka edukuar breza me koncepte të gabuara të burrërisë, që sot vuajmë pasojat e këtij edukimi, dhe modeli vrasës i të qenët bashkëshort, partner dhe burrë.

Edukoni fëmijët tuaj se të qenët burrë dhe dhunues janë dy koncepte kontraste me njëra – tjetrën. Dhuna dhe vrasja janë krime, janë paaftësi për të zgjidhur problemet, janë mungesë e kontrollit emocional, janë devijim dhe shtrembërim që na largon nga të qenit njeri, janë turp, janë sjellje jonormale. Por, para se t’i edukoni fëmijët tuaj, ndaluni dhe reflektoni e rimodeloni me vetën tuaj, se nëse ende nuk i keni kuptuar ju, nuk do të mund as t’i modeloni para fëmijëve tuaj ato.

Mungesa e aftësisë për të përballuar refuzimin

“Një fëmijë i ulur në tavolinë, refuzon të hajë ushqimin që i shërbehet nga prindi. Prindi nga paaftësia për të kuptuar dhe pranuar refuzimin e fëmijës e godet me shpullë. Fëmija patjetër qan dhe fillon të hajë çka do që i serviret”.

Ju kujtohet se herë na kanë rrahur prindërit sa herë që kemi refuzuar kërkesat e tyre. Jo vetëm rrahur, por e bëjnë fëmijën të ndihet fajtor për refuzimin. E po, fatkeqësisht, kjo ka qenë një pikënisje se refuzimin duhet ta trajtojmë me dhunë, me shpulla, se në këtë mënyrë do t’i arrijmë qëllimet tona egoiste, se ndryshe do të na lëndohet egoja jonë.

Refuzimi nuk është turp, nuk është paedukatë, thjesht një individ po tregon atë që dëshiron, ndjen dhe ka nevojë, respektojeni ndjenjat dhe nevojat e fëmijëve tuaj dhe kështu i zhvilloni individualisht ata. Sepse nesër si të rritur, ata do të respektojnë nevojat dhe kërkesat e të tjerëve. Përballimi me refuzimin, është një pjesë e zhvillimit individual shumë e rëndësishme që nëse nuk kultivohet në fëmijëri do të kemi të rritur të paaftë për të përballuar refuzimet, të cilat do të godasin e lëndojnë secilin që nuk pranon kërkesat e tyre.

“Burgu është për burra”, në fakt burgu është për njerëzit antisocial

Po pra, ju kujtohet kjo fjalia e famshme në mentalitetin e shoqërisë tonë. Pra, jemi rritur me idenë se të jesh në burg do te thotë, ti je burrë i vërtetë. Sa e sa prind unë kam dëgjuar personalisht të kenë cituar këtë thënie kur ndonjëri nga djemtë e tyre përfundonte në burg, e thonin me krenari. E sot, ajo krenari patologjike e tyre, ua vret fëmijët, vajzat dhe gratë e tyre.

Në burg përfundojnë njerëzit antisocial, ata që nuk kanë aftësi për t’u përshtatur dhe respektuar ligjin, rregullat dhe normat e shoqërisë. Mosjustifikoni sjelljet dhunuese, jonjerëzore dhe jonormale, mësojeni fëmijën tuaj të marrë përgjegjësi për sjelljet devijante. Kaq të vështirë e kishin të na mësonin se burgu është ndëshkim ligjor për thyerjen e ligjit dhe normave. E po kjo frazë “krenarie” po vret fëmijët, gratë dhe vajzat tona sot. Dhuna s’ka dalë nga xheneti, dhuna ka dalë nga njerëzit e ligj dhe të paaftë që shtypin më të dobëtin.

“Një fëmijë vonohet nga shkolla, prindërit e shqetësuar dhe në panik sapo mbërrin fëmija në shtëpi fillojnë të bërtasin dhe e godasin atë”. Edhe kjo një nga “perlat” patologjike të shoqërisë tonë, sa që e kanë lidhur edhe çështjet religjioze. Ka pasur dhe ka ende mënyra të gabuara të të menduarit se duhet të godasësh dikë për të mbajtur nën kontroll sjelljen e dikujt. Kjo mënyrë patologjike e disiplinimit është model për fëmijën tuaj se kur dikush nuk përmbush kërkesat tuaja, duhet ta godasësh. Andaj si i rritur, fillon të përdorë këtë formulë makabër për të tentuar për të kontrolluar të tjerët.

Dhuna është akt jonjerëzor, është krim, është turp, dhe s’ka të bëjë fare me shpërblime religjioze e as shpirtërore, qoftë kjo e përdorur edhe si filozofi në vete.

Morali është në dorën e secilit prej nesh

Ju kujtohen frazat, “Na mori fytyrën”, “Na ka bë horë”, “Na fëlliqi gjithë shtëpinë”. Terma që kryesisht iu dedikoheshin femrave sepse na kanë rritur, duke menduar se morali është në dorën e tyre. Një femër që e përzë burri nga shtëpia pa marrë parasysh arsyet, ajo do të sulmohet dhe stigmatizohet. Aty do të jenë gjithmonë vëllezërit, baballarët dhe axhallarët që e rrahin brutalisht se ua ka marrë fytyrën. Pra, ai abuzim brutal nuk është i pamoralshëm sa është divorci i saj, po e cek prapë për çfarëdo lloj arsyeje, dhuna nuk ka justifikim.

E duke modeluar një fëmijë këtë “trajtim” të “moralit familjar” nga të rriturit e shtëpisë, ai një ditë si i rritur do të mendojë se abuzimi brutal, besa edhe rrahja, është përgjigje për gjërat që ata i cilësojnë si imorale.

Mësojini fëmijët se secili është përgjegjës për moralin e vet dhe krijues i fatit të tij/saj, po ashtu, mos harroni t’i mësoni se gjërat imorale janë gjithashtu përgjegjësi e tjetrit dhe nuk i dëmton fare ata në imazhin dhe vlerat e tyre.

Të dashur prindër, keni shumë kujdes se para çfarë modelimi dhe edukimi po e ekspozoni fëmijën tuaj, sepse nesër do të keni pasoja të asaj që keni kultivuar në të, gjatë gjithë fëmijërisë së tyre.

Të fundit nga rubrika