Në ditën e parë të Samitit të NATO-s, që po mbahet në Hagë të Holandës, aleanca lansoi planin e përditësuar të veprimit për prodhimin në industrinë mbrojtjes, si përgjigje ndaj zhvillimeve globale në fushën e sigurisë.
Plani i përditësuar ka për qëllim të përshpejtojë rritjen e kapaciteteve industriale të aleancës në fushën e mbrojtjes.
Duke përmendur planin e gatishmërisë 2030, që mund arrijë deri në 800 miliardë euro, Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, tha se nuk mund të ketë mbrojtje pa industri të mbrojtjes.
“Është një thënie romake: Nëse dëshiron paqe, përgatitu për luftë. Është ide e thjeshtë. Bëje mbrojtjen aq të fortë, sa që askush nuk të mos guxojë të të sulmojë. Sot, avantazhi ushtarak i NATO-s po sfidohet në mënyrë agresive. Nga një Rusi që po riarmatoset me shpejtësi, e mbështetur nga teknologjia kineze dhe e armatosur me armë iraniane dhe koreano-veriore. Ne duhet të bashkohemi, të shpikim dhe të japim rezultate. Pikërisht për këtë bëhet fjalë në këtë forum”, ka thënë Rutte.
Teksa mbështeti thirrjet planin e ri për investime prej 5% të GDP-së, ai theksoi se Rusia, si ekonomi 25 herë më e vogël sesa e NATO-s, nuk duhet të jetë në gjendje t’ia kalojë aleancës me prodhim dhe armë.
Shefi i NATO-së, Mark Rutte, së bashku me presidentin e Këshillit Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, u zotuan për vazhdimin mbështetjes financiare ndaj Ukrainës.
Duke bërë thirrje për bashkim, presidenti i kësaj të fundit, Volodymyr Zelensky, theksoi se është e domosdoshme që shtetet perëndimore, përfshirë shtete anëtare të NATO-s, të ndalin furnizimin e Rusisë me pjesët të cilat ajo i përdor për prodhimin e armëve dhe pajisjeve tjera ushtarake.
“Nuk ka shenja që Putin dëshiron të ndalë luftën. Rusia refuzon të gjitha propozimet për paqe, përfshirë ato nga SHBA. Putin mendon vetëm për luftë. Kjo është fakt. Ndoshta ai e lidhë mbijetesën e tij politike me aftësinë për të vrarë. Pra për aq sa vret, ai jeton. Inteligjenca jonë e ka konfirmuar që Rusia është duke planifikuar operacione të reja në territorin e NATO-s, që do të thotë në vendet tuaja… Pa dyshim, duhet ta ndalim Putinin tani, në Ukrainë, por duhet të kuptojmë që synimet e tij e kalojnë Ukrainën. Vendet evropiane duhet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes”, ka thënë Zelensky.
Në mbrëmje në Hagë do të mbërrijnë krerët e shteteve për të vazhduar me ditën e dytë të Samitit të NATO-së.
Mëngjesin e së mërkurës, në nisje të punimeve, do të ketë një adresim të përbashkët nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump.