Samiti në Holandë, liderët e NATO-s zotohen për 5% shpenzime të mbrojtjes

Në Hagë të Holandës është mbajtur dita e dytë e Samitit të NATO-s me pjesëmarrjen e krerëve të lartë të shteteve aleate. Aleatët janë zotuar të shpenzojnë 5 për qind për mbrojtje çdo vit deri në vitin 2035. Pos kësaj çështjeje, konflikti Izrael-Iran dhe lufta në Ukrainë ishin ndër temat kryesore gjatë ditës së dytë, derisa protagonisti kryesor ishte presidenti amerikan, Donald Trump

Konferenca për media e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka hapur të mërkurën ditën e dytë të Samitit të NATO-s në Holandë.

Krahas rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, konflikti në Lindjen e Mesme ishte ndër temat kryesore gjatë adresimit të Ruttes dhe Trumpit.

“Dua vetëm të vlerësoj veprimin tuaj vendimtar ndaj Iranit. Ju jeni njeri me forcë, por gjithashtu edhe njeri i paqes. Dhe fakti që keni arritur të realizoni këtë armëpushim midis Izraelit dhe Iranit, dua me të vërtetë t’ju përgëzoj për këtë. Mendoj se kjo është e rëndësishme për të gjithë botën”, deklaroi Rutte.

Presidenti amerikan theksoi se po të mos ishte ndërhyrja amerikane, Irani nuk do të pajtohej të bënte paqe.

Trump foli edhe rreth pikëpyetjeve të ngritura në opinionin publik nëse forcat amerikane kanë arritur ta shkatërrojnë uraniumin e pasuruar të Teheranit brenda bunkerëve nëntokësorë.

“Nuk patën mundësi të nxirrnin asgjë, sepse vepruam shpejt. Po të kishte zgjatur dy javë, ndoshta. Por është shumë e vështirë të largosh atë lloj materiali, shumë e vështirë dhe shumë e rrezikshme për ta që ta largojnë”, deklaroi Trump.

Sa i përket mbrojtjes, shefi i aleancës ushtarake veriatlantike ia njohu meritat Trumpit për nxitjen e aleatëve të rrisin shpenzimet.

Kurse Trump e quajti punë të madhe ngritjen e tyre nga 2% në 5%.

Menjëherë pas takimit në mëngjes, të dy liderët u panë së bashku, në qendër të vëmendjes, në fotografinë tradicionale familjare të liderëve të NATO-s.

Trump qëndroi në krahun e djathtë të Ruttes edhe në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në kuadër të samitit.

Aty krerët e lartë të shteteve kanë diskutuar për çështje që përfshijnë Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe objektivat për shpenzimet për mbrojtjen.

Në këtë takim është miratuar një deklaratë pesë pikëshe, përmes së cilës anëtarët e NATO-s janë zotuar të shpenzojnë 5% të Bruto Produktit të Brendshëm çdo vit në shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035.

 “Ky është një angazhim i rëndësishëm në përgjigje të kërcënimeve serioze ndaj sigurisë sonë. Ai përfshin të paktën 3.5% të Bruto Produktit të Brendshëm të investuar në nevojat thelbësore të mbrojtjes, një prag që deri më sot ishte vendosur në 2%. Një objektiv që jam i kënaqur të them se të gjithë aleatët do ta arrijnë këtë vit ose tashmë e kanë arritur”, tha Rutte.

Deklarata përfshin gjithashtu angazhimin e palëkundur të 32 vendeve për mbrojtjen kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – se një sulm ndaj njërit anëtar është një sulm ndaj të gjithëve.

Në dokument, theksohet se aleatët rikonfirmojnë përkushtimin e tyre për të ofruar mbështetje për Ukrainën.

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika