Scholz: KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se tensionet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është prania e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Ai tha se shteti i tij mbështet misionin e KFOR-it

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se tensionet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është prania e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Gjatë një konference për media në Berlin, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të aleancës perëndimore ushtarake, Scholz tha se shteti i tij mbështet misionin e KFOR-it.

“NATO-ja është garantues i sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë përmes KFOR-it. Gjermania merr pjesë në këtë mision përmes forcave të armatosura. Tensionet në ditët e fundit kanë ilustruar se sa e rëndësishme është kjo prani dhe që KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur ndaj të gjitha zhvillimeve”, tha kancelari gjerman.

Që nga fundi i majit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.

Për shkak të rritjes së tensioneve, që u përcollën me protesta të dhunshme, ku u lënduan edhe dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, NATO-ja njoftoi për rritjen e pranisë ushtarake në Kosovë.

KFOR-i, që është reaguesi i tretë i sigurisë, vazhdimisht ka deklaruar se mund të ndërhyjë nëse është e nevojshme, por ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Më 24 shtator, tensionet u rritën edhe më shumë pasi një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues.

Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë 4.353 trupa, 70 prej të cilëve janë nga Gjermania./REL

Shija e redaktorit

Dita e fundit e Panairit të Librit në Tiranë, “Dukagjini”...

Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia Botuese Dukagjini ka rrëmbyer vëmendjen e vizitorëve...

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Të fundit nga rubrika