Serbia, aeroplanmbajtësja e Rusisë përmes së cilës zhvillohet luftë hibride në Ballkanin Perëndimor

Shërbimi rus vepron në mënyrë hibride përmes një sistemi që tashmë është vendosur në Rusi, në nivel shtetëror, si një program shtetëror për militarizimin e shoqërisë, duke shfrytëzuar lidhjet historike mes dy kombeve për të ndikuar në Serbi. Ky veprim është i përqendruar në krijimin e një narrative pro-ruse, gjoja ortodokse dhe konservatore, me qëllime të barasvlershme në drejtim të orientimit të politikës së jashtme serbe, konkretisht:

  1. largimi nga integrimet euroatlantike;
  2. kthimi drejt Rusisë dhe objektivave të saj.

Moska e ka ndjekur këtë qasje që nga Kryengritja e Parë Serbe deri në ditët e sotme, pavarësisht nga forma e qeverisjes.

Në planin e brendshëm, kultivohet një marrëdhënie e privilegjuar ndaj gjithçkaje që vjen nga Rusia, në atë mënyrë që Federata Ruse të shihet si aleati i vetëm dhe i padiskutueshëm, ndërsa modeli rus kopjohet për sa i përket raportit me kishën, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave, e të tjera. Ky aspekt i dytë mbetet kryesisht i fshehur për publikun në Serbi, pasi nuk ekziston një pasqyrë reale e gjendjes në Rusi (situata ligjore, të drejtat e njeriut, ekonomia, standardi i jetesës së popullsisë etj.).

Serbia si një vend nën ndikim absolut hibrid rus

Serbia është një vend nën ndikimin absolut të Rusisë përmes luftës hibride, me të gjithë elementët e saj të orientuar në disa drejtime kyçe. Shteti është plotësisht i paralizuar, ndërsa institucionet shtetërore janë kriminalizuar. Shoqëria është e ndarë në shumë mënyra, dhe efekti hibrid rus është veçanërisht i rrezikshëm në sektorin e arsimit dhe në punën me të rinjtë.

Sot kjo duket qartë edhe në protestat studentore kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Edhe pse vetë Bashkimi Evropian e pranon se kërkesat e studentëve janë plotësisht në përputhje me pritshmëritë e BE-së për reformat shtetërore në Serbi, në protestë gjithnjë shfaqen flamuj të shtetit rus, madje edhe flamuj lufte.

Ekzistojnë edhe grupe të tjera të të rinjve të organizuar nga shërbimet ruse, siç janë grupet kriminale të organizuara që maskohen si “tifozeritë e futbollit”. Oktapodi që përbëhet nga shërbimet ruse, narkotikët, organizatat kriminale dhe grupet e tyre, si dhe zyrtarë të lartë qeveritarë, është aq i madh sa e demoralizon plotësisht qytetarin e zakonshëm dhe ia heq çdo besim në institucionet shtetërore.

Kreu i këtij oktapodi, nga ana serbe, është Aleksandar Vuçiq, ndërsa personat që punojnë për zbatimin e interesave ruse janë: Aleksandar Vulin, Milica Gjurgjeviq, Nenad Popoviq, Misha Vaciq, Dragoslav Bokan, Branimir Nestoroviq, Vojislav Sheshelj…

Shumë gazetarë janë tepër aktivë, jo vetëm në mediat e tyre, por edhe si të ftuar në emisione dhe rubrika të përditshme në mediat elektronike dhe portalet online. Këto media janë ruse, siç janë RT dhe Sputnik, por shumë më tepër janë nga tregu serb, madje edhe ato që përdorin frekuenca kombëtare, si Pink, B92, Happy, ndërsa janë edhe Informer, Pečat… Madje edhe televizioni me licencë të BE-së, Euronews Serbia, fton më shpesh në program përfaqësues prorusë sesa mbështetës të botës euroatlantike!

Detyra e këtyre njerëzve dhe mediave është të krijojnë një imazh të shtrembëruar të realitetit për disa arsye:

  • servimi i përmbajtjes mediatike pro-ruse të fabrikuar dhe të konstruuar;
  • qëndrim irracional dhe jokritik ndaj fenomeneve historike dhe shoqërore, i ngjyrosur me përjetimin emocional të Rusisë si aleat historik, partner i fuqishëm dhe subjekt i drejtë e i drejtësishëm në skenën ndërkombëtare;
  • qëndrim emocional ndaj bombardimeve të vitit 1999;
  • qëndrim ndaj çështjes së Kosovës, ku Rusia perceptohet si mbrojtëse, ndërsa NATO si armik.

Për këtë arsye, popullata thuajse nuk di asgjë për vetë Rusinë dhe jetën atje, për rendin e saj autoritar (vetëm një numër shumë i vogël njerëzish nga Serbia kanë pasur mundësinë të jetojnë në Rusi, dhe kjo kurrë nuk është temë në media).

Këto persona, organizata, grupe dhe institucione duhet të monitorohen dhe ndaj tyre duhet të merren të gjitha masat parandaluese, sepse jo vetëm që rrezikojnë sigurinë e Ballkanit, por edhe të gjithë Evropës. Shërbimet inteligjente ruse kanë tentuar tashmë të organizojnë grushte shteti në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa përmes Milorad Dodikut destabilizojnë në mënyrë të vazhdueshme Bosnjë e Hercegovinën.

Ndikimi rus dhe ideja e “botës serbe” në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë

Ndikimi rus dhe ideja e “botës serbe” në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë përbëjnë dy pika kyçe të veprimit gjeopolitik të Kremlinit në Ballkanin Perëndimor. Këto dy shtete janë veçanërisht të ndjeshme për shkak të përbërjes së tyre multietnike, trashëgimisë historike, institucioneve të dobëta dhe orientimit të tyre gjeopolitik midis BE/NATO-s dhe Rusisë.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017, gjë që bie drejtpërdrejt në kundërshtim me interesat ruse. Megjithatë, ndikimi i Rusisë nuk shfaqet vetëm në pozicionet e politikës së jashtme, por edhe në mbështetjen për strukturat konservatore dhe proruse, shpesh përmes kornizës ideologjike të “botës serbe”.

Ndër protagonistët kryesorë të “botës serbe” dallohet Kisha Ortodokse Serbe (KOS). Ajo është një instrument kyç i fuqisë së butë në Mal të Zi. Gjatë krizës politike (sidomos rreth Ligjit për Lirinë e Besimit 2019–2020), KOS u shndërrua në një faktor mobilizues për një numër të madh qytetarësh dhe një nga kanalet kryesore të ndikimit rus dhe serb.

Fronti Demokratik (DF) – aleanca politike tashmë e shpërbërë (me figura si Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq) – ka qenë haptazi proruse dhe proserbe dhe ka përfaqësuar rregullisht qëndrime kundër anëtarësimit në NATO dhe BE.

Mediet dhe infrastruktura digjitale – portale si IN4S, Borba dhe platforma të tjera përhapin narrativa të “botës serbe” dhe pozicione proruse, shpesh duke përdorur dezinformata dhe metoda hibride ndikimi.

Ndër instrumentet ruse të ndikimit dallohen kanalet e inteligjencës dhe ato diplomatike – përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016 (me pjesëmarrje të anëtarëve të GRU-së) ishte një operacion i drejtpërdrejtë i synuar për të parandaluar integrimin në NATO.

Edhe pse vitet e fundit ndikimi ekonomik i Rusisë është zbehur, kapitali rus (veçanërisht në sektorët e pasurive të paluajtshme dhe energjisë) mbetet një faktor i ndjeshëm dhe rrezikuar.

Një kanal i rëndësishëm i ndikimit rus janë rrjetet sociale dhe operacionet e informacionit – përhapja e narrativave kundër NATO-s dhe BE-së, glorifikimi i ndërhyrjeve ushtarake ruse (p.sh. në Ukrainë), theksimi i “marrëdhënieve vëllazërore”.

 Bosnja e Hercegovina si vatër e ndikimit rus përmes “botës serbe”

Bosnja e Hercegovina është një shtet i ndërlikuar me tre kombe përbërëse. Entiteti i Republikës Srpska, i udhëhequr nga Milorad Dodik, përbën një pikë kyçe për ndikimin rus dhe për kornizën ideologjike të “botës serbe”. Ideja e “botës serbe” në BeH shpesh manifestohet përmes revizionizmit politik, separatizmit dhe minimit të institucioneve shtetërore.

Aktori kryesor është Milorad Dodik – president i Republikës Srpska dhe lider i SNSD-së – promotori më i zëshëm i idesë se “serbët duhet të bashkohen në një shtet të vetëm”. Ai përdor rregullisht një retorikë që ngjan me atë të Sllobodan Millosheviqit të viteve ’90, dhe gëzon mbështetje të hapur nga Rusia.

Gjithashtu, Kisha Ortodokse Serbe (KOS) dhe një pjesë e elitës kulturore në RS mbështesin narrativat e “unitetit shpirtëror” të serbëve. Mbështetje këtyre narrativave japin edhe mediat e Republikës Srpska – siç janë RTRS, SRNA dhe kanale të tjera – të cilat përhapin diskurse të harmonizuara me interesat e politikës së jashtme ruse.

Nga ana e saj, Rusia i ofron Dodikut mbështetje diplomatike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe përmes ambasadorit të saj në BeH, i cili rregullisht kritikon Përfaqësuesin e Lartë dhe modelin e Bosnjës së Dejtonit.

Të rëndësishëm janë gjithashtu kontaktet e inteligjencës dhe të sigurisë, përfshirë praninë e agjentëve rusë dhe mbështetjen për strukturat e sigurisë së RS-së.

Në një masë të caktuar është e pranishme edhe mbështetja ekonomike dhe simbolike, përmes projekteve energjetike (si gazifikimi) dhe kontakteve të drejtpërdrejta me Moskën.

Në të dy rastet – si në Mal të Zi, ashtu edhe në Bosnje e Hercegovinë – ndikimi rus e përdor idenë e “botës serbe” si një platformë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, për bllokimin e integrimeve euroatlantike, për minimin e sovranitetit shtetëror të Bosnjës dhe për përdorimin e ndarjeve identitare si mjet kontrolli mbi proceset politike.

Ideja e “botës serbe” nuk është vetëm një koncept kulturor apo fetar – ajo është një instrument i një politike revizioniste dhe imperialiste, e cila përshtatet në mënyrë të përsosur me strategjinë ruse për ngadalësimin e zgjerimit të NATO-s dhe BE-së, si dhe për krijimin e një pasigurie kronike në rajon.

Serbia është, pra, “aeroplanmbajtësja” e Rusisë nga e cila Moska e zhvillon luftën hibride në Ballkanin Perëndimor! Pavarësisht se ndonjëherë mund të duket se “dashuria” e ndërsjellë është lëkundur, njeriu i parë i Rusisë është Aleksandar Vuçiq, i cili i ka dorëzuar plotësisht institucionet shtetërore makinerisë së Putinit. Krahas tij, bashkëpunëtori kryesor është Kisha Ortodokse Serbe, si dhe një numër organizatash, përfshirë të ashtuquajturin “qendër humanitare” ruse në Nish, e cila deri më tani nuk ka kryer asnjë aktivitet humanitar.

“Shtëpia Ruse” është aty për të përhapur ndikimin rus përmes aktiviteteve kulturore. Lajmi më i ri është se në Moskë është themeluar “Shoqëria Historike Ruse”, e drejtuar, as më pak e as më shumë, por nga Sergej Narishkin – drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)!!! Kjo shoqëri do të merret me “të vërtetat historike”, si për shembull ajo që Ukraina nuk ekziston dhe se ukrainasit janë në të vërtetë rusë.

Njëkohësisht, tek ne shfaqen rusofilë të cilët në televizionet me frekuenca kombëtare sulmojnë Vuk Karaxhiqin dhe e akuzojnë se ka shkatërruar gjuhën dhe alfabetin e vërtetë serb, duke na shkëputur kështu nga rrënjët tona – nga rusët?! Më duhet të them: Zoti na ruajt!

Megjithatë, asgjë nuk është rastësi, sepse në mes të gjithë kësaj vjen lajmi se një degë e Shoqërisë Historike Ruse do të themelohet edhe në Serbi, dhe se kryetar i saj do të jetë Aleksandar Vulin! Mund të presim që, përveç idesë së “botës serbe”, Vulin të hapë edhe çështjen e fshirjes së Vuk Karaxhiqit nga historia jonë, të ndryshojmë gjuhën serbe në gjuhë ruse, dhe që ajo të bëhet gjuhë amtare në shkollat tona! Po të mos ishte kaq tragjike, do të ishte për të qeshur!

Përfundimi është i thjeshtë: Së pari duhet të çlirohemi nga Vuçiqi, dhe vetëm atëherë na pret beteja kundër së keqes që Putini dhe ai e kanë mbjellë në Serbi dhe në rajon! Nuk do të jetë e lehtë dhe do të na duhet shumë kohë, mençuri dhe përpjekje në këtë betejë, por në fund të saj edhe Serbia do të bëhet pjesë e botës euroatlantike!/The Geopost

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika