Shtatëdhjetë e shtatë vjeçari me inicialet e H.H është i arrestuari i radhës nga autoritetet serbe në pikën kufitare me Kosovën në Merdare.
Akuza mbetet e njëjtë sikur për arrestimet e kaluara që lidhen me dyshime “për krime lufte”, derisa mediat serbe raportojnë se i arrestuari është shqiptar.
“Dyshohet se në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë zjarri ka privuar nga jeta një civil të nacionalitetit serb. Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës, bashkë me kallëzim penal, do të dërgohet në Prokurorinë Publike për Krime Lufte”.
Televizioni Dukagjini ka pyetur Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë pretendim të autoriteteve serbe, por akoma nuk ka pranuar përgjigje.
Ky rast vjen gati tri javë pasi në pikën kufitare me Hungarinë në Horgosh, autoritetet serbe arrestuan dy vëllezër nga Kosova, Bashkim dhe Xhemajl Emini, me pretendime të njëjta për kryerje të krimeve të luftës në bashkëpunim me pjesëtarë të UÇK-së.
Më 22 korrik, Serbia e arrestoi edhe Lulzim Halilin, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së, por organizata e veteranëve të UÇK-së, e ka hedhur poshtë këtë pretendim.
Ndërsa në fillim të muajit të kaluar u ndalua edhe Behar Preniqi, derisa akuza ndaj tij nuk është bërë publike.
Kurse që nga fillimi i qershorit, në paraburgim në Serbi është duke u mbajtur edhe ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu.
Ai është arrestuar me pretendimin se kishe marrë pjesë në aksionin e Policisë së Kosovës në zmbrapsjen e sulmit terrorist në Banjskë, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor i Kosovës Afrim Bunjaku, dhe tre terroristë serbë.
Por, institucionet e Kosovës kanë konfirmuar se Spahiu ishte larguar nga Policia një vit para se të ndodhte sulmi në Banjskë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje më 2013 për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.
Mirëpo, moszbatimin e marrëveshjes, juristi Valdet Hoxha fajëson Serbinë, por një pjesë të fajit ai ia lë edhe qasjes së BE-së.
“Kjo politikë e Bashkimit Evropian, pavarësisht qëllimit të mirë për ta shkëputur Serbinë nga kthetrat e Federatës ruse, ka rezultuar e pasuksesshme, prandaj do të duhet të rishikohet sepse një bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të të gjitha shteteve të Ballkanit, edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, nuk është vetëm në funksion të stabilitetit të Kosovës apo Serbisë, por është investim në krijimin e një sigurie në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Hoxha.
Këto arrestime, institucionet e Kosovës i kanë konsideruar si arbitrare. (Pamje te MPJD-se)