Në kuadër të agjendës së tij për të takuar zyrtarë të mbrotjes, Ndihmës Sekretari o Mbrojtjes të SHBA-së për politikën europiane dhe të NATO-s, David Baker është mirëpritur nga Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Në njoftimin e publikuar në platformën “Facebook”, KFOR ka bërë të ditur se çështja kryesore e diskutimit ishte siguria në Kosovë.
“Takimi ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të ndarë vizionet mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe për rrugën përpara për të mbështetur më së miri një angazhim të ripërtërirë politik për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.
Z. Baker riafirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.”, ka shkruar KFOR.
Në ndërkohë, KFOR-i përsëriti se po vazhdon mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt në Kosovë
Gjatë ditës, Baker pritet të zhvillojë takime me të parën e vendit, presidenten Vjosa Osmani dhe Ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.