Forcat izraelite kanë vrarë 11 anëtarë të një familjeje palestineze në Gaza, duke shkaktuar kështu shkeljen më vdekjeprurëse të armëpushimit që kur hyri në fuqi tetë ditë më parë.
Sulmi ndodhi të premten në mbrëmje kur një predhë tanku u qëllua nga forcat izraelite në një automjet civil që mbante familjen Abu Shaaban në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës, sipas mbrojtjes civile të Gazës.
Shtatë fëmijë dhe tre gra ishin midis atyre që u vranë kur ushtria izraelite qëlloi mbi automjetin ndërsa familja përpiqej të shkonte në shtëpinë e tyre për ta inspektuar atë, tha zëdhënësi i mbrojtjes civile Mahmoud Basal në një deklaratë, shkruan Aljazeera, transmeton Dukagjini.
Hamasi dënoi sulmin teksa e quajti një “masakër” dhe tha se familja u shënjestrua pa justifikim. Tutje, Hamasi i bëri thirrje Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe ndërmjetësve të bëjnë presion mbi Izraelin për të respektuar marrëveshjen e armëpushimit.
Në atë sulm, ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj njerëzve që kaluan të ashtuquajturën “vijë të verdhë”, demarkacionin në të cilin ushtria izraelite duhej të tërhiqej sipas kushteve të armëpushimit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se vijat e verdha në Gaza do të shënohen së shpejti për qartësi.
Ndërsa shkëmbimi i robërve për të burgosurit palestinezë sipas dispozitave të marrëveshjes ka vazhduar, Izraeli ka vrarë të paktën 28 palestinezë dhe ka kufizuar rëndë rrjedhën e ndihmës së nevojshme, duke përfshirë ushqimin dhe furnizimet mjekësore.